AKP-ja dhe Ballkani Perëndimor, 3 fazat e një raporti

Qysh nga marrja e pushtetit në vitin 2002, partia konservatore AKP e Turqisë ka adoptuar 3 qasje të gjera të njëpasnjëshme ndaj Ballkanit Perëndimor” një vazhdim të atlanticizmit tradicional të saj; një kthesë “neootomane” dhe një reset pragmatist nën Erdoganin.

Vitet e para të AKP-së: Atlanticizëm i vazhduar
Përpara ardhjes në pushtet të AKP-së në vitin 2002, politika e Turqisë ndaj Ballkanit Perëndimor ishte në sinkron me atë të aleatëve perëndimorë të saj, sidomos të Shteteve të Bashkuara. Kjo nuk ndryshoi rrënjësisht pas 2002. Gjatë viteve ’90, partneriteti i Ankarasë me Uashingtonin u fuqizua gjatë dhe pas luftërave jugosllave. Turqia i mbështeti aktivisht myslimanët gjatë luftës në Bosnje dhe, në periudhën menjëherë pas konfliktit, ishte e etur që të luante një rol aktiv në stabilizimin e rajonit. Gjatë luftës dhe ndërhyrjes në Kosovë, Ankaraja i koordinoi politikat e saj ngushtësisht me amerikanët. Ajo luajti një rol ndohmës në çështjet e sigurisë dhe stabilitetit rajonal gjatë konflikteve dhe më pas zhvilloi marrëdhënie të ngrohta më qeveritë në Maqedoni, Bosnje dhe Shqipëri.

Në faza të ndryshme përpara dhe pas 2002, Turqia promovoi gjithashtu përfshirjen e këtyre vendeve me NATO-s, përfshi këtu mbështetjen e kërkesës së Maqedonisë për anëtarësim në NATO. Turqia qe po ashtu aktive në iniciativat pas konflikteve nëpërmjet Kombeve të Bashkuara dhe OSBE-së në Europë, duke kontribuar në operacionet paqeruajtëse në rajon. Pas luftës në Jugosllavi, forcat e armatosura turke vendosën lidhje të ngushta me Maqedoninë dhe ndihmuan në trajnimin e kuadrove të rinj ushtarakë të saj. gjithashti, Turqia qe vendi i dytë që njohu pavarësinë e Kosovës në 2008 (pas Shteteve të Bashkuara).

Gjatë kësaj periudhe, Turqia ende e shikonte veten strikt si një anëtar i aleancës perëndimore. Siç vëren Birgül Demirtas, një prej ekspertëve kryesorë të Turqisë për Ballkanin: “Identiteti perëndimor tradicional i Turqisë dhe interesi i saj në ruajtjen e këtij identiteti në periudhën e pasLuftës së Ftohtë qe një faktor i rëndësishëm në formulimin e politikave turke. Nëpërmjet qenies aktive në skenën ballkanike dhe marrjen e një roli mbështetës për boshnjakët në platformat ndërkombëtare, Turqia u orvat që t’i provojë botës perëndimore rëndësinë e saj”.

Pasi ka marrë pushtetin, AKP-ja ushqente një dëshirë të qartë për ta reduktuar influencën e establishmentit kemalist në Turqi. Ajo fitoi menjëherë besueshmëri ndërkombëtare nëpërmjet avancimit të reformave për përshpejtimin e procesit të hyrjes së Turqisë në Bashkimin Europian. Ballkani Perëndimor nuk qe një tipar kushedi se çfarë e kësaj periudhe. Në masën që AKP-ja qe e interesuar për rajonin gjatë viteve të para në pushtet, kjo qe gjithsesi një vazhdim i politikës së qeverive të mëparshme të ankorimit të Ballkanit Perëndimor në komunitetin transatlantik dhe institucionet e tij. Qasja e politikës së jashtme të AKP-së në përgjithësi gjatë kësaj kohe ishte ruajtja dhe përmirësimi i marrëdhënieve me vendet fqinje, e quajtur “zero probleme me fqinjët”. Turqia zgjeroi udhëtimin pa viza dhe zonat e tregëtisë së lirë me fqinjët e saj gjatë kësaj periudhe, e cila zgjati thuajse afërsisht me emërimin e Davutoglu si Ministër i Jashtëm më 2009.

Epoka Davutoglu: Një rilindje neootomane?
Faza e dytë e politikës së AKP-së ndaj Ballkanit Perëndimor filloi me influencën në rritje të Davutoglu nga 2009 e më tej. Kjo fazë u shënua nga një intensifikim i shtrirjes diplomatike të Turqisë në Ballkanin Perëndimor, e cila u “kripos” me referenca nga e kaluara otomane.

Davutoglu nuk ishte i huaj për ballkanin. Lufta boshnjake kishte krijuar një ndjenjë zemërimi midis islamistëve të Turqisë në vitet ’90. Si një akademik me lidhje të ngushta me proislamisten Refah Partisi (Partia e Mirëqenies), Davutoglu i zhvilloi shumë prej ideve të tij rreth pozicionit global të Turqisë në kundërpërgjigje të saj që po ndodhte në Ballkan. Siç e artikulon në veprën e tij madhore, Strategic Derinlik (Thellësia Strategjike), Davutoglu besonte se, që të realizonte fatin historik të saj dhe të shfaqej si një fuqi globale, Turqia do të duhej ta plotësonte orientimin e saj perëndimor me një interes më të fuqishëm në Lindje të Mesme dhe në Ballkan.

Gjatë qëndrimit të tij si Ministër i Jashtëm, vendi u bë shumë më aktiv në këto rajone. Themeluesit e Turqisë moderne kishin parë shpartallimin dhe rënien e Perandorisë Otomane gjatë Luftës së Parë Botërore dhe refuzimin e trashëgimisë otomane në termat gjeografikë dhe perandorakë. Davutoglu mendonte ndryshe: si shumë islamistë në qarqet e AKP-së, Davutoglu besonte se republika kemaliste ishte reduksioniste, së trashëgimia otomane nuk ishte e hidhur, por e lavdishme, dhe se Turqia do të ishte në gjendje ta realizonte fatin e saj vetëm nëqoftëse ushtronte soft poëer e saj në ish territoret otomane.

Tek Thellësia Strategjike, Davutoglu argumentonte se Ankaraja duhet ta bazonte politikën e saj ballkanike mbi boshnjakët dhe shqiptarët – dy popullsitë më të konsiderueshme myslimane në rajon. Ai i shikonte marrëdhëniet me të ngushta me këto komunitete si celësin për zgjerimin e influencës së Turqisë në rajon. Por, siç vëren shkencëtari politik Birgül Demirtas, me t’u bërë Ministër i Jashtëm, Davutoglu u përqëndrua jo vetëm tek Bosnja dhe Shqipëria, por zhvilloi raporte të ngushta edhe me Maqedoninë e Serbinë.

Në fakt, menjëherë sapo Davutoglu u bë Ministër i Jashtëm, Turqia hyri në një fushatë marramendëse diplomatike anembanë Ballkanit. Zgjidhja e konfliktit në Bosnje ishte e para në axhendë. Në 2009 Ankaraja lançoi iniciativën e saj për të bërë bashkë serbët, kroatët dhe myslimanët boshnjakë për të adresuar çështjet e mëdha brenda Bosnjes – pjesërisht si një pasojë e dështimit të procesit të Butmirit të drejtuar nga Bashkimi Europian. Një idhtar i zjarrtë në rritjen e rolit të Turqisë në arbitrimin ndërkombëtar, Davutoglu krijoi një mekanizëm të dytë tripalësh më 2010 që përfshinte Turqinë, Serbinë dhe Bosnjen. Të dy mekanizmat rezultuan në dhjetëra vizita dhe samite bilaterale, që nënvizonin influencën në rritje të Turqisë në rajon.

Shkencëtarja politike Alida Vraçiç shkruan: “Rezultatet qenë të qarta. Ministrat e Jashtëm e Turqisë, Bosnje e Hercegovinës dhe Serbisë janë takuar bashkë 9 herë; ministrat e Jashtëm e Turqisë, Bosnje e Hercegovinës dhe Kroacisë janë takuar bashkë 4 herë qysh nga 2009. Kulmi i këtyre takimeve qe takimi i parë midis Presidentit serb Boris Tadiç dhe atij të Bosnje e Hercegovinës Haris Silajxhiç. Më pas, Bosnje e Hercegovina dërgoi një ambasador në Beograd pas një mungese 3 vjeçare. Në vitin 2010 Parlamenti serb miratoi një deklaratë që dënonte krimet në Srebrenicë”.

Një rezultat i rëndësishëm në këtë qe impakti pozitiv në marrëdhëniet e Turqisë me Serbinë. Në prillin e 2010, liderët e Serbisë, Bosnjes dhe Turqisë nënshkruan Deklaratën e Stambolli, me presidentin serb dhe atë boshnjak të mbledhur bashkë për atë që u përshëndet si një samit “historik”. Një pjesë e mirë e kësaj që rezultat i muajve të një diplomacie shuttle nga ana e Davutoglu. Abdullah Gül, Presidenti i atëkohshëm i Turqisë, pozoi në një foto ku mbante shtrënguar duart e dy presidentëve dhe tha: “Ata që lexojnë histori duhet ta dinë se Ballkani duhet të ketë paqe dhe siguri në një çati të përbashkët. Kjo çati është tani ombrella e madhe e Bashkimit Europian”.

Fokusimi i Davutoglu mbi Serbinë rezultoi në një shkrirje historike në marrëdhëniet e saj me Turqinë, vende që e konsideronin veten se ishin kundërshtarë tradicionalë. Turqia e konsideronte thelbësore për shtrirjen e saj në Ballkan futjen e Serbisë në kornizën europiane, për të ndihmuar që të zbuteshin diferencat midis Bosnjes dhe Kroacisë. Kjo komplementare me përpjekjet e atëkohshme të Bashkimit Europian.

Si gazetare që ka udhëtuar me Davutoglu gjatë kësaj periudhe, autorja ka pasur shansin të dëshmojë një pjesë të kësaj diplomacie hiperaktive turke, duke shkuar nga Bosnja në Kroaci për të promovuar dialog, që është pasuar menjëherë me angazhime të ngjashme në Lindje të Mesme, si përpjekjet ndërmjetësuese në Jemen dhe Liban. Ndërsa është kritikuar nga establishment laik për devijim nga fokusmi tradicional i Turqisë në aleancën perëndimore, diplomacia e Davutoglu nuk qe pa rezultate.

Deklarata e Stambollit shënoi njohjen nga ana e Beogradit të integritetit territorial të Bosnjes dhe rikthimin e ambasadorëve midis dy vendeve. Gjithashtu, Turqia mëshoi për anëtarësimin e Bosnjes në Plan Veprimin e Anëtarësimit të NATO-s. influence e saj në rajon padyshim që u rrit. Ndërkohë, Turqia vazhdoi politikën e saj e marrëveshjeve të tregëtisë së lire dhe udhëtimin pa viza me vendet fqinje të saj, përfshi ato në Ballkan dhe në Lindje të Mesme. Më 2018, Turqia kishte finalizuar marrëveshje të tregëtisë së lirë me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Davutoglu ishte një besimtar i zjarrtë në soft power potencial të Turqisë. Në terma të influencës kulturore, gjatë kësaj periudhe qeveria e AKP-së vuri një theks të madh në ekspansionin e aktiviteteve të Agjencisë së Ndihmës Turke (TIKA) dhe krijimit të qendrave kulturure “Yunus Emre” nëpër rajon. Të magjepsur pas Institutit Goethe dhe Këshillit Britanik, këto institucione kulturore lokale i mbështetën nga qeveria turke ne qëllim përhapjen e gjuhës dhe kulturës turke. Nga 2007 e këtej, Turqia hapi 2 qendra “Yunus Emre” në Shqipëri, 3 në Bosnje, 1 në Serbi, 3 në Kosovë dhe 3 në Maqedoni.

Kjo paralelisht me popullaritetin në rritje të televizionit turk, me emisione të tilla si Shekulli i Mrekullueshëm, që pasqyronte jetën dhe oborrin e Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm. Qeveria turke i shikoi klasat e turqishtes në Sarajevë dhe zona të tjera të predominuara nga myslimanët në Ballkanin Perëndimor si një instrument për përhapjen e influencës kulturore të saj. Më 2012, e kishte zgjeruar programin e saj shkollor për studentë ballkanikë që dëshironin të shkonin në universitet në Turqi.

Rezultatet e fushatës së epokës Davutoglu për të përhapur soft power e Turqisë në Ballkan qenë të përziera. Nga njëra anë, diplomacia me intensitet të lartë dhe iniciativat kulturore të saj e rritën profilin e Turqisë dhe gjeneruan ndjenja positive midis elitave, në linjë me vetëbesimin në rritje të vendit në arenën ndërkombëtare. Nga ana tjetër, Ballkani nuk ishte kthyer tamam në “bahçen” e Turqisë, pavarësisht ëndërrave të Davutoglu. Turqia ishte influente në politika, por e kufizuar në influencën e saj kulturore jashtë komuniteteve myslimane. Qendrat “Yunus Emre” nuk qenë ngritur në potencialin e tyre për ta përhapur kulturën turke anembanë rajonit, ndërsa turqishtja nuk është bërë një lingua franca në rajon ashtu siç kishin planifikuar arkitektët e politikës së ekspansionit të soft power turk.

Një difekt të madh që Davutoglu dhe AKP-ja injoruan në analizën e tyre ishte ndjenja e hidhur rreth së kaluarës koloniale të Turqisë në rajon. Me përjashtim të Bosnjes, shumica e vendeve ballkanike i shikonin shekujt e sundimit otoman në terma jashtëzakonisht negativë. Në përpjekjen për të shitur në shtëpi një politikë të jashtme më aktive – duke devijuar nga orientimi tradicional transatlantik i Turqisë – AKP-ja u mbështet në imazhin ottoman dhe nostalgjinë për perandorinë.

Në të vërtetë, udhëheqësit turq u shfaqën goxha të pavetëdijshëm për hendekun midis fuqisë propagandistike e retorikës së tyre neootomane në vend dhe përthithjes së saj jashtë vendit. Në një fjalim të vitit 2009 në Sarajevë, Davutoglu pretendoi se: “Historia jonë është e njëjta, fati ynë është i njëjti dhe e ardhmja jonë është e njëjta. Ashtu si Ballkani otoman është ngritur në qendrën e politikës botërore në shekullin e XVI, ne do ta bëjmë Ballkanin, Kaukazin e Lindjen e Mesme, bahskë me Turqinë, qendrën e politikës botërore. Ky është synimi i politikës së jashtme turke dhe ne do t’ia arrijmë një gjë të tillë. Për të siguruar paqe rajonale dhe globale, ne do të riintegrohemi me rajonin ballkanik, Lindjen e Mesme dhe Kaukazin, jo vetëm për veten tonë, por për të gjithë njerëzimin”.

Davutoglu e mbushi fjalimin e tij me figura historike nga oborri otoman, të tilla si Veziri i Madh i fuqishëm otoman i shekullit të XVI Sokollu Mehmed Pasha, që i kishte rrënjët në Ballkan. Dukej jo i vetëdijshëm se politika e marrjes së fëmijëve të vegjël të krishterë nga fshatrat serbe për t’i rritur si oborrtarë dhe shtetarë nuk përcillej mirë në rajon, edhe pas 400 vjetësh. “Ky qe Ballkani otoman”, u shpreh ai. “Ne do ta ringremë këtë Ballkan. Njerëzit më quajnë neootoman, prandaj nuk dua t’i referohem shtetit otoman si një çështje të politikës së jashtme. Ajo që po nënvizoj është trashëgimia otomane. Shekujt otomanë në Ballkan qenë histori suksesi. Tani duhet t’i ripërsërisim ato”.

Vetë Erdogan e përsëriti përshëndetjen për Ballkanin në evente kyçe dhe fjalime fitoreje paszgjedhore në vite, që e paraqisnin Turqinë si shpëtimtarë të myslimanëve në vendet fqinje. Pas zgjedhjeve vendore të marsit 2014, lideri turk bëri një thirrje në fshatin turqishtfolës të Mamushës në Kosovë. Kryetari i saj e përshëndeti fitoren e Erdoganit duke thënë: “Populli i Kosovës, Ballkanit dhe Mamushës janë krenarë për ju”. Ky episod nuk ishte për audiencën e Ballkanit Perëndimor apo kosovare. Në fakt, përshëndetja ishte pjesë e një serie gjestesh për të mbështetur imazhin në vend të Erdoganit si një “dünya lideri” (lider global) apo edhe si “asrın lideri” (lider i shekullit), siç kanë sugjeruar shpesh propaganda elektorale e AKP-së dhe e mediave. Ajo ndihmoi që të vendosej në një ligë globale mbi konkurrentët e tij politikë në vend.

Megjithatë, e gjitha kjo ishte një pikëpamje e ekzagjeruar e influencës së Turqisë në fqinjësinë e saj, që injoronte faktin se shumë prej shteteve – kombe ballkanike dolën nga luftërat nacionaliste kundër otomanëve. Nëpërmjet ringjalljes së imazhit ottoman, liderët e AKP-së menduan se po i kujtonin botës një të kaluar të artë paqeje dhe stabiliteti në Ballkan; ata nuk i kuptuan ndjeshmëritë dhe mërinë historike e rrënjosura thellë që akoma ndjenin shumë në Ballkanin Perëndimor. Ideja e një perandorie turke të ringjallur ishte e lehtë shitshme vetëm në vend. Popullsitë myslimane që mund ta mirëprisnin një rikthim të ditëve të lavdishme të perandorisë qenë një pakicë shumë e vogël në shumicën e vendeve ballkanike.

Në një farë mënyre, marrëdhëniet e Ankarasë me Ballkanin Perëndimor i mbijetuan fjalorit plot kolorit të periudhës së Davutoglu, duke i kalitur ambiciet e mëdha të saj në favor të një pikëpamjeje më realiste. Në fund të fundit, Ankaraja mbeti mbështetëse e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në institucionet e Bashkimit Europian dhe NATO-s dhe, si e tillë, mbeti një aleat i rëndësishëm për ta. Pavarësisht ndjeshmërive historike rreth epokës otomane, vendet e Ballkanit Perëndimor i vlerësuan marrëdhëniet me një fqinj historikisht të fuqishëm dhe, kur ishte rasti, e injoruan nostalgjinë otomane e emetuar nga Ankaraja.

Erdoganizmi: Fitorja e pragmatizmit
Faza e tretë dhe më e fundit e strategjisë së AKP-së për Ballkanin Perëndimor është një qasja më Erdoganocentrike dhe më pragmatiste. Qysh nga largimi i Davutoglu nga posti në 2016, Turqia e ka reduktuar ritmin dhe intensitetin e aktivizmit dhe iniciativave rajonale të saj. e ka zëvendësuar këtë më një fokus më të madh në lidhje më të mëdha ekonomike dhe një rol qëndror për Presidentin turk. Kjo periudhë e re shënohet nga angazhimi direkt i Erdoganit, nëpërmjet lidhjeve personale, me liderë të Ballkanit Perëndimor. Është një erdoganizëm me germa të mëdha.

Më 9 korrik 2018, Erdogan mbajti një ceremony betimi në kompleksin e ri rezidencial në Ankara. Shumica e liderëve europianë e shpërfillën eventin për shkak se kushtetuta e re e Turqisë, e miratuar nëpërmjet një referendum vetëm me një diferencë të vogël, i jepte tagra të shumta Presidentit pavaraësisht paralajmërimeve të Komisionit të Venecias rreth dobësimit të checks and balances. Pavarësisht, liderët e Ballkanit Perëndimor morën pjesë të gjithë, krahpërkrah me krerë shtetet afrikane dhe aleatë të ngushtë të Erdoganit, si Emiri i Katarit dhe lideri i Venezuelës. Krerët e shteteve dhe të qeverive nga Bullgaria, Maqedonia, Bosnja, Shqipëria, Kosova dhe Serbia u ulën në rreshtin e parë në një festim madhështor që shënonte konsolidimin e pushtetit absolut në duart e Presidentit turk.

Liderët do të ribashkoheshin nën patronazhin turk më se një herë atë vit: hapja e aeroportit të Stambollit në tetorin e 2018 pa një ftesë personale bërë liderëve të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Bosnjes, Bullgarisë dhe Serbisë. Ndërsa qeveritë e Bashkimit Europian e refuzuan ftesën, liderët e Ballkanit Perëndimor pranuan me qejf, ka mundësi si pasojë e rolit domethënë të Turqisë në marrëdhëniet e tyre tregtare dhe të jashtme. Muajin e ardhshëm, Erdogani i telefonoi Vuçiçit dhe liderit kosovar Hashim Thaçi në përpjekje për të zgjidhur një problem kufitar dhe doganor midis Serbisë dhe Kosovës.

Nuk ka dyshim se marrëdhëniet personale me Vuçiçin, Thaçin, liderin boshnjak Bakir Izetbegoviç dhe Kryeministrin shqiptar Edi Rama formojnë shtyllën vertebrore e fazës më të re të qasjes turke në Ballkanin Perëndimor. Këto ndërveprime personale përbëjnë kanalin kryesor diplomatik të Turqisë në vendet e tyre. Por kjo politikë është konceptuar gjithashtu për të pasqyruar supremacinë e Erdoganit si lideri më i fuqishëm në rajon. Në fazën e tij pasreferendum (prill 2017), lideri turk ka kërkuar që të kultivojë imazhin e një figure njëherazi dorë e fortë rajonale dhe atërore – jo vetëm për 84 milion turqit, por edhe për myslimanët dhe liderët rajonale n ëish territoret otomane. Në biseda në Ankara, burokratët parapëlqejnë të thonë shprehjen “vëllai i madh” në përshkrimin e rolit të Turqisë në zonën e fqinjësisë së afërt.

Liderët ballkanikë janë të vetëdijshëm për pikën e dobët që ka Erdogani për këtë imazh dhe nuk përtojnë që t’ia kultivojnë atë. Ata e dinë se Erdogan do respektin që ndjen se nuk po e merr nga liderët e Bashkimit Europian, kështu që i përgjigjen ftesave të tij. Kjo “diplomacy e përgjigjes” është reciprokisht fitmprurëse. Çdo herë që liderë të Ballkanit Perëndimor apo qoftë edhe familjet e tyre vijnë në Turqi, atyre u bëhet një trajtim VIP dhe u jepet akses i nivelit të lartë.

Kjo miqësi speciale u lejon gjithashtu liderëve ballkanikë që t’u tregojnë fuqive të tjera të mëdha, si puna e Europës, se Ballkani Perëndimor nuk është pa alternative kur vjen puna tek aleancat, duke e nënvizuar më tej pozicionin e Erdiganit si një lider rajonal. Por ka një protokoll specific në këtë marrëdhënie. Megjithatë, ekzistojnë limite në përfshirjen e Turqisë. Ajo nuk përfshihet në politikat e brendshme në Ballkanin Perëndimor. Turqia tenton që të mbështesë këdo që përfundon në pushtet, përfshi, për shembull, një nacionalist serb si Vuçiç. Ajo nuk merr anë në zgjedhje dhe, më përjashtimin e Shqipërisë dhe Bosnjes, pakicat myslimane ndaj të cilave Turqia ka një interes janë shumë të vogla sa për të rimodeluar politika.

Turqia i përdor akoma instrumentat e soft power në rajon për promovimin e kauzës së saj. Në to përfshihen bursa, kurse gjuhe dhe projekte rinovimi. Por klasat e turqishtes mbesin pak të ndjekura, ndërsa shumë nga ndihma zhvillimore e TIKA-s shkon për rinovimin e ndërtesave dhe xhamive të epokës otomane. Për qeverinë turke, impakti i ndihmës së TIKA-s në Ballkanin perëndimor është më pak e rëndësishme sesa kuptimi i saj në vend 18% e buxhetit të ndihmës globale të TIKA-s shkon për Ballkanin Perëndimor, një shifër që vështirë se bën ndonjë diferencë në këto ekonomi. Por ajo është një burim i madh krenarie për qeverinë turke që TIKA u siguron ndihmë komuniteteve në Lindje të Mesme, Ballkan dhe Afrikë – duke e treguar Tiurqinë si një fuqi e madhe në gjendje që të ndihmojë nevojtarët anembanë botës. Kjo është një temë konstante në mediat proqeveritare dhe në fjalimet politike. përpjekjet e TIKA-s për të rinovuar xhami, ura dhe ndërtesa otomane mbivendoset me interpretimin e historisë otomane nga ana e AKP-së – të perandorisë si fuqi madhështore, dashamirëse dhe e ndershme që u siguron mallra dhe shërbime subjekteve të saj për përmirësimin e gjendjes së tyre.

Imazhi i vetvetes ka qenë tema predominuese në fushatat politike e viteve të fundit të AKP-së. për pasojë, liderë të AKP-së dhe media që mbështesin partinë i paraqesin pushtimet otomane në Ballkan si pjesë e një misioni qytetërues dhe do të donin që Turqia bashkëkohore të luajë një rol të ngjashëm në ndihmën, zhvillimin dhe rindërtimin aty. Kjo, argumentojnë intelektualë të AKP-së, i vendos otomanët larg nga fuqitë perëndimore koloniale që duan të pushtojnë dhe shfrytëzojnë rajonet pak të zhvilluara të botës. Për shembull, në një intervistë televizive të kohëve të fundit rreth librit të tij të sapobotuar, The Barbarian, the Modern, the Civilised: Notes on Civilisation, Ibrahim Kalin, zëdhënësi dhe këshilltari kryesor i politikës së jashtmë i Erdoganit, hyri në hollësira në përshkrimin e kontributit otoman për komunitetet dhe qytetërimin ballkanik. Libri i tij krahason kontributin otoman me modelin e supozuar më mizor dhe njerëzor perëndimor. Gjatë intervistës, Kalin u irritua me intervistuesin kur i sugjeroi se popuj në vende si Serbia mund të kenë një qëndrim të ndryshëm ndaj së kaluarës otomane. “Otomanët nuk qenë imperialistë”, argumentoi ai.

Lidhje ekonomike
Si pjesë e riorganizimit pragmatist të marrëdhënieve të Presidentit turk me Ballkanin Perëndimor, Ankaraja e ka identifikuar rajonin sikur paraqet mundësi domethënëse për influencën dhe aktivitetin ekonomik turk. Në mendimin strategjik turk, Ballkani perëndimor është një zonë konkurrence midis fuqive të mëdha që nuk është pretenduar nga asnjëra prej tyre. Zyrtarët turq theksojnë se ekziston një mundësi që ta fuqizojë praninë e saj ekonomike në Ballkan, duke arsyetuar se Kina nuk është ende plotësisht e pranishme në rajon, pavarësisht se tregon një interes të fortë ndaj tij, se rusët janë duke bllofuar dhe se Europa është shumë shpërqëndruar sa t’i fokusojë përpjekjet e saj aty
.
Gjithashtu, qeveria turke e pranon që rajoni ka projekte infrastrukturore dhe privatizimi në dispozicion. Mehmet Ugur Ekinci i SETA-s, një think-tank me lidhje të ngushta me qeverinë turke, e shpreh publikisht këtë pikëpamje: “Vendet e Ballkanit Perëndimor që nuk i janë bashkuar Bashkimit Europian kanë nevoja të konsiderueshme infrastrukturore. Këto vende nuk kanë as autostrada dhe hekurudha të brendshme as sisteme portuale të përshtatshme. Për shkak të mungesës së infrastrukturës, investimet e huaja vonojnë të vijnë, duke e penguar kapacitetin zhvillimor të rajonit”. Ekziston një perceptim në Ankara se bizneset turke janë më fleksibël në përshtatjen me kushtet e vështira të Ballkanit sesa homologët e tyre europianë. Kjo ndjenjë mund të jetë nganjëherë reciproke. Në 2018 Marko Cadez, kreu i Dhomës Serbe të Tregtisë, tha “Investitorët turq shkojnë në zona të pazhvilluara, ndryshe nga investitorët e vendeve perëndimore”. 20 impiante dhe fabrika të ndryshme industriale u hapën në Serbi më 2017.

Nëpërmjet dhomave të tregtisë dhe bordeve të investimeve si Foreign Economic Relationship Council, Turqia ka inkurajuar aktivisht tregtinë dhe investimet në Ballkan. Duke pasur parasysh personalizimin në rritje nën Erdiganin, nuk është habi që ai fton kontraktorë dhe përfaqësues të mëdhenj biznesi në udhëtimet e tij dhe liderët turq shpesh marrin pjesë në hapjet e projekteve të mëdha të investimeve turke në rajon.

Investimet turke në Ballkanin perëndimor janë rritur fuqimisht qysh nga mesi i viteve 2000. Shuma prej 3.6 miliard dollarësh në tregëti në 2202 është rritur në 16.2 miliard dollar në 2016, duke arritur kulmin tek 20 miliardët e 2014. Eksportet turke në rajon shkojnë në 10 miliard, ku 1/3 e të cilave shkon në Serbi. Ndërkohë, gjatë dekadës së kaluar, kompani të mesme turke kanë ndjekur mundësi investimi të drejtpërdrejtë në telekomunikacione, ndërtim, transport dhe financë në Ballkanin Perëndimor.

Gjithashtu, kontraktorë turq janë të përfshirë në projekte të ndryshme rajonale infrastrukturore, përfshi ndërtimin e një autostrade midis Serbisë e Bosnjes, ndërtimin e aeroportit të ri të Prishtinës, Kompaninë e Shpërndarjes së Elektricitetit të Kosovës dhe privatizimin e minierave të qymyrit. Një konsorcium turk bleu një pjesë në kompaninë shqiptare të telekomunikacioneve pas privatizimit të saj në 2007 dhe Turkish Airlines bleu 49% e B&H Airlines të Bosnjes. Kompani dhe banka turke – më të njohurat, bankat me pronësi qeveritare Halkbank dhe Ziraat – janë aktive në Ballkanin perëndimor. Vetëm më Serbi ka tani 33 degë të Halkbank. TIKA jep miliona dollarë në mikrofinancime për bizneset në rajon. Sipërmarrës turq kanë krijuar degët dhe kompanitë e tyre anembanë rajonit.

Një ndjenjë “Po vijnë turqit!”, që përzien harenë me kuptimin, mbetet e zakonshme midis zyrtarëve europianë që ndjekin zhvillimet ekonomike në Ballkanin Perëndimor. Por të dhënat aktuale nuk e mbështesin idenë e një ekspansioni të madh turk aty. Me Ballkanin Perëndimor një treg në rritje për Turqinë, qeveria e AKP-së është e vendosur të vazhdojë që të depërtojë në Serbi, Shqipëri dhe pjesë të tjera të rajonit. Vlera e tregtisë së Turqisë me Serbinë i kaloi 1 miliard dollarët në 2018, por tregëtia e saj me Bashkimin Europian është afërsisht 14.5 miliard dollarë. Megjithatë, Turqia është larg Europës si aktor ekonomik në rajon në çdo aspekt.

Gylenizmi
Një nënsubjekt i rëndësishëm i historisë së Turqisë dhe Ballkanit Perëndimor është ndjekja e gylenistëve dhe liderëve të komuniteteve të tyre nga ana e Ankarasë brenda rajonit. Qeveria është e angazhuar në një ndjekje të pandalshme globale të lëvizjes së Gylenit, një ish aleat të cilin AKP-ja mendon se është prapa grusht shtetit të dështuar të 2016 në Turqi. Ndërsa në dukje e parëndësishme nga pikëpamja e politikës së jashtme, kjo ndjekje është lart në axhendën e Erdoganit dhe shërbimeve shtetërore të sigurisë.

Ballkani ka qenë për një kohë të gjatë një qendër e rëndësishme për lëvizjen e Gylenit. Për pjesën më të madhe të sundimit të AKP-së, shkollat dhe universitetet e Gylenit në rajon përfituan mbështetje aktive nga ana e qeverisë turke. Tipikisht, këto shkolla kanë një kurrikul të mirë, kanë siguruar një arësim të stilit perëndimor me një shenjë turke dhe, në rastin e Bosnjes dhe Shqipërisë, janë ndjekur nga fëmijët e elitave. Por qysh nga tentative e dështuar e grusht shtetit, me sukses të pakët, Ankaraja ka ushtruar presion ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor që t’i ekstradojnë gylenistët dhe t’i mbyllin institucionet e lidhura me Gylenin. Diplomatë turq konfirmojnë se direktivat qeveritare i udhëzojnë ata që t’i japin prioritet ndjekjes së gylenistëve në vendet e Ballkanit Perëndimor. Në marsin e 2018, agjencia e inteligjencës turke solli me forcë 6 gylenistë nga Kosova në Turqi, gjë që çoi në një skandal politik, me drejtuesit e Ministrisë së Brendshme dhe të agjencisë së intelogjencës kosovare që humbën vendet e tyre të punës.

Liderët e Ballkanit Perëndimor ruhen mirë nga të vepruarit ndaj rrjeteve të Gylenit në vendet e tyre dhe marrëdhënieve me Turqinë, e cila po kryen një luftë totale kundër këtyre entiteteve. Natën e grushtit të shtetit, liderët në pjesën më të madhe i përshëndetën veprimet e Erdoganit. Rama bëri një tweet: “I gëzuar për popullin vëlla turk dhe mikun tonë të shquar, Presidentin Erdogan, që ka dalë me sukses të plotë nga një natë shumë e vështirë”. Bakir Izetbegoviç shkroi: “Mesazhi im për vëllain tim Erdogan është se ai ka mbështetje të fuqishme këtu, midis nesh në Bosnje”.

Megjithatë, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë hezituar në bllokimin apo mbylljen e rrjeteve të Gylenit, që përfshijnë shkolla reputacioni i mirë i të cilave duket se ka ndihmuar në mbrojtjet e tyre, ashtu si edhe preokupimet për çështjet e shtetit të së drejtës të qeverive gjatë procesit të aderimit në Bashkimin Europian. Marrë parasysh gjithçka, fakti që vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshi Bosnjen, nuk kanë lëvizur për mbylljen e shkollave të Gylenit ka qenë një zhgënjim për Turqinë. Qeveria turke nuk është e kënaqur me reagimin e tyre dhe vazhdon që të kërkojë veprime të mëtejshme. Autoritetet turke monitorojnë nga afër aktivitetet e lëvizjes së Gylenit në rajon.

Nga Maqedonia në Shqipëri, Ballkani Perëndimor është një fushëbeteje e madhe në luftën e Erdoganit kundër Gylenit. Dhe do të vazhdojë të jetë për vitet në vazhdim. Ndërkohë, Ankaraja po përpiqet të promovojë alternativën e saj ndaj shkollave të Gylenit, të quajtur Maarif Foundations. Shkollat Maarif sigurojnë një përzierje klasash të rregullta me mësime konservatore islamike. Presidenti turk e mbështet ekspansionin e tyre në Ballkan dhe tashmë ka shkolla Maarif në Bosnje, Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri, megjithëse nuk kanë arritur ende popullaritet jashtë vendit. Në 2018 Gjykata Supreme e Turqisë ratifikoi një vend që i transferonte të gjitha shkollat e lidhura me Gylenin tek Maarif.
(Asli Aydintasbas për European Council on Foreign Relations)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakVOA: Ballkani në darën e protestave, në Shqipëri qeveria akuzohet për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar
Artikulli tjetërDrejtori i Zërit të Amerikës: Rama është bërë dukshëm më autoritar, më i korruptuar, më arrogant dhe më pak transparent