Aksi Thumanë – Kashar, i katërti më i shtrenjti në 59 autostradat me pagesë në Europë

Autostrada Thumanë – Kashar, e cila u hap për trafikun këtë muaj do të jetë një nga katër autostradat më të shtrenjta në Europë sa i përket tarifës, ndërsa e krahasuar me fuqinë blerëse ajo është më e shtrenjta në Europë.

“Monitor” ka përpunuar tarifat për kilometër të rreth 59 akseve me pagesë në të gjithë Europën me të dhëna të marra nga portali i tarifave të pagesave sipas shteteve https://www.tolls.eu/european-countries. Këto të dhëna u verifikuan me tarifat zyrtare të secilës nga shtetet.

Në krahasim janë përfshirë vetëm autostradat me pagesë, një pjesë e të cilave kanë edhe tunele (duke përjashtuar tarifat për veprat e rralla inxhinierike të tilla si Kanali La Manshit, tunelet dhe urat në Belgjikë dhe Holandë etj, pasi nuk janë të krahasueshme me rrugën Thumanë -Kashar).

Autostrada Thumanë – Kashar në Shqipëri ka një gjatësi 21 kilometër, me një tarifë 2.1 euro pa TVSH ose 2.53 euro me TVSH ose 0.12 euro për kilometër. Me këtë çmim për kilometër Thumanë – Kashar është e katërta më e shtrenjta në mesin e 59 autostradave me pagesë në Europë. (shiko Grafikun e mëposhtëm).

Autostrada “Cannock – Kingsbury” në Britaninë e Madhe renditet e para me 0.2 euro për kilometër. Aksi është 35 kilometër i gjatë dhe kushton 8.2 euro (7 paund).

Autostrada e dytë më e shtrenjtë në Europë është “Navan North – Kells” në Irlandë me 0.136 euro për kilometër. Aksi është 11 kilometër dhe kushton 1,5 euro.

Aksi i tretë më i shtrenjtë është gjithashtu në Irlandë “Springhill – Slieverue” me 0,125 euro për kilometër. Kjo autostradë është 16 kilometra dhe kushton 2 euro.

Të dhënat nga tarifat në autostradat me pagesë janë më të lartat në Britani, Francë dhe Itali, ndërsa më të lirat janë në Turqi, në Europën Lindore përgjithësisht në Rajonin e Ballkanit.

Për me tepër vendet e Europës që kanë çmime të larta të rrugëve me pagesë kanë më shumë se një alternativë të lirë për lëvizjen e njerëzve.

P.sh. vendet e Europës Perëndimore kanë një rrjet shumë efikas hekurudhor, dhe gjithashtu rrugë të brendshme të tjera si alternativa. Rrugët me pagesë në BE dhe Europë sigurojnë shpejtësi të lartë dhe kursim të madh në kohë. Ndërsa autostrada Thumanë – Kashar, ndër më të shtrenjtat nga tarifat, nuk u dha zgjidhje as në kostove (karburant+trafik).

Në Europë, 11 vende nuk aplikojnë tarifa për automjetet që lëvizin në rrugë, ndërsa në vendet e Europës Lindore aplikohen tarifa në formën e aboneve ditore, mujore dhe vjetore.

Dy ditë më parë u krijuan radhë të mëdha në rrugën e re Thumanë-Kashar, e cila filloi testimin e pagesave për të kaluar në 21 kilometrat e ndërtuara përmes koncesionit. Pagesa u hoq pas amullisë së krijuar me trafikun.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) sqaroi dje se kompania ka kryer në segmente të ndryshme kohore, testime të kufizuara të sistemit të pagesës, për të kolauduar sistemin dhe aftësinë përpunuese të stafit.

Publiku do të njoftohet paraprakisht për datën dhe orarin e fillimit të pagesës, tha Ministria.

Aksi Thumanë-Kashar 21 km është autostradë e tipit A me shpejtësi 130 km në orë. Për ndërtimin e saj u përdor forma e koncesionit me financim privat për 35 vjet. Të ardhurat e për të gjithë periudhë e koncesionit me gjithë TVSH llogariten 1,6 miliardë euro.

Vlera e investimit është 271 milion euro, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës, Ky segment është pjesë Korridorit Adriatiko -Jonian.

Nga viti 2024 deri në vitin 2031 kompania private fitimin e ka të garantuar, pasi është parashikuar që në rast se do të ketë një rënie të nivelit të të ardhurave, buxheti i shtetit do subvencionojë humbjen dhe nga buxheti i shtetit janë vënë në dispozicion 22.8 milionë euro garanci.

Thumanë-Kashar është aksi i dytë në vend pas asaj të Rrugës së Kombit, që bëhet me pagesë. Po ashtu me pagesë do të jetë kalimi edhe në tunelin e Llogorasë.

tab1

tav1

tab3

 

 


Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor

Artikulli paraprakDelegacioni nga drejtësia amerikane vizitë në SPAK, takim me Altin Dumanin dhe prokurorët e posaçëm!
Artikulli tjetërKryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu shkon në Prokurorinë e Posaçme