Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Fier, ku dy persona kanë humbur jetën në një aksident rrugor, dhe një tjetër ka mbetur i plagosur. Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:30, në aksin rrugor Hoxharë–Fier, pranë “Urës së Shënpjeterit” ku si rezultat i pakujdesisë së drejtuesit të mjetit dhe mungesës së sinjalistikës, ka dalë nga rruga dhe është përmbysur në një kanal me ujë mjeti tip “Benz” me targa AA 494 OB.
Në makinë udhëtonin tre persona, nga të cilët dy kanë humbur jetën, ndërsa i treti ka mbetur i plagosur dhe është dërguar në spital për ndihmë mjekësore, ku mësohet se është jashtë rrezikut për jetën. Burime zyrtare nga policia pohuan se Emiljano Goxhaj, rreth 30 vjeç dhe Silvana Alushaj kanë humbur jetën ndërsa është plagosur Azis Hilaj.
Ppolicia tha se, për pasojë është mbytur drejtuesi i mjetit dhe pasagjerja në vendin e parë S.A, 40 vjeçe, si edhe ka marë dëmtime pasagjeri tjetër, shtetasi H.H, 35 vjeç, i cili ndodhet i shtruar në Spitalin Rajonal Fier nën kujdesin e mjekëve. Paraprakisht dyshohet se, shkak i daljes së mjetit nga rruga ka qenë një pakujdesi e shoferit. Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe po punohet për gjetjen e shkakut të aksidentit.
Makina përplas nënë e bijë, vdes 3-vjeçarja
Një 3-vjeçare humbi jetën mbrëmjen e të dielës, si pasojë e një aksidenti tragjik në aksin rrugor Tiranë-Elbasan. Aksidenti ndodhi rreth orës 10:30, kur e mitura Xhulia Velija po ecte në këmbë bashkë me nënën e saj, Emine Velija, në kthesën e Ibës së Sipërme, kur një automjet doli nga rruga dhe i përplasi.
Në timonin e makinës, një “Peugeot” me targë AA 645 GO, ishte 25-vjeçari I. Shaipi, banues në fshatin Shalës të Cërrikut, i cili shoqërohej gjithashtu nga një fëmijë 7-vjeçar. Sipas policisë, shkak për daljen nga rruga është bërë humbja e kontrollit të mjetit, që dyshohet të ketë ardhur për shkak të shpejtësisë. Në njoftimin e saj zyrtar, Policia e Tiranës tha se e kishte ndaluar 25-vjeçarin dhe po hetonte rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.
Megjithatë, me një vëzhgim fare të lehtë në profilin social të Shaipit, duket se ai rrugën Tiranë–Elbasan e kishte kthyer në një vend ku bënte gara shpejtësie. Këtë e dëshmojnë videot e postuara nga vetë ai, ku udhëton me makinë me një shpejtësi deri në 260 kilometra në orë.
Në një prej videove, të postuara më 10 janar, Shaipi shkruan: “Për të gjithë ata që nuk ndihen të sigurtë me mua…”. E vogla ndërroi jetë rrugës për në spital, ndërsa nëna e saj ndodhet e shtruar në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën. Fatmirësisht edhe 7-vjeçari që udhëtonte me Shaipin në automjet nuk ka pësuar dëmtime.
Ndërkohë, një 53-vjeçar është gjetur i vdekur nga policia në rrugën Lezhë-Milot. Kufoma është identifikuar si N.Q. dhe dyshohet të jetë viktimë e një aksidenti me makinë, shoferi i së cilës është larguar me shpejtësi pas përplasjes. Policia ka nisur menjëherë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit të aksidentit.