Aksident i rëndë në Rrugën e Kombit

Në harkun kohor të 24 orëve kanë ndodhur dy aksidente me disa të plagosur. Një aksident i rëndë raportohet se ka ndodhur pasditen e djeshme në Rrugën e Kombit. Furgoni me targa të Kosovës në të cilin udhëtonin një çift është përmbysur, ku si pasojë kanë mbetur disa të plagosur, mes tyre një vajzë më rëndë.
Një tjetër aksident i rëndë është shënuar në segmentin rrugor Shkodër-Han i Hotit, në fshatin Shtoj i Ri. Përplasja e fuqishme e dy automjeteve, një “Ford focus” me një “Audi”, ka bërë që ky i fundit të përfundojë në kanalin anësor të rrugës. Sipas policisë, mjeti me targë AA 215 FK i drejtuar nga 30-vjeçari me inicialet A.Gj., banues në Koplik është përplasur me automjetin me targa të huaja K 103 B me drejtues 37-vjeçarin me inicialet F.K., banues në Shtoj i Ri.
Goditja ka qenë e fortë, duke shkaktuar për pasojë plagosjen e dy drejtuesve të mjeteve, të cilat janë dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku ndodhën nën kujdesin e bluzave të bardha. Mësohet se ato kanë marrë fraktura në disa pjesë të trupit, por fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën. Në momentin e përplasjes së mjeteve, drejt Hanit të Hotit ka qenë duke udhëtuar një kamion, i cili me të parë aksidentin ka frenuar në kohë, pasi përplasja me “Fordin” do të kishte qenë më fatale për drejtuesin e këtij të fundit.
Grupi hetimor i mbërritur në vendngjarje ka nisur procedurat për zbardhjen e shkaqeve të plota të këtij aksidenti, ndërsa rruga Shkodër-Han i Hotit po kthehet në rrezik serioz për shkak se shpejtësia tej normave dhe mosrespektimi i Kodit Rrugor janë një fenomen që po përsëritet.

Exit mobile version