Aksident në Korçë, humbin jetën 2 policë, 3 të plagosur

Një aksident i rëndë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në aksin rrugor Korçë-Bilisht, ku një furgon ka dalë nga rruga e për pasojë 2 punonjës policie kanë mbetur të vdekur dhe 3 të tjerë të plagosur, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë. Burimet bëjnë të ditur, se aksidenti ka ndodhur në afërsi të kryqëzimit të Plasës, ndërsa në furgon udhëtonin punonjës të Policisë së Burgut të Drenovës, të cilët ishin duke u kthyer nga një ceremoni mortore.
Mësohet se viktimat janë shtetasit Fatmir Islamaj, i cili ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital dhe Agim Beshi, i cili ka vdekur në spital. Ndërkohë, të plagosur janë shtetasit Neshat Alldashi, Idajet Gozhdari dhe Luan Kreka. Sipas policisë, fillimisht, furgoni me targa “AA 519 EX” është përplasur me një automjet me targa “AA 251 EP”, e më pas ka humbur kontrollin duke dalë nga rruga.
Mësohet se 4 gardianët kishin qenë në një ceremoni mortore dhe po ktheheshin kur janë përplasur me furgonin. Fillimisht u raportua se 2 gardianë ishin plagosur rëndë, por më pas Fatmir Islamaj dhe Agim Besho ndërruan jetë në spital. Përveç 2 gardianëve në aksident kanë mbetur të plagosur edhe shoferi i furgonit, si dhe Neshat Olldashi dhe Luan Kreka. Të gjithë në gjendje të rëndë. Viktima Islamaj ishte transferuar prej pak kohësh nga Burgu i Vlorës në atë të Drenovës.
Një i vdekur në autostradën Tiranë-Durrës
Rastet e aksidenteve ku këmbësorët bëhen viktima të përplasjeve në rrugë po bëhen të shpeshta. Viktima e radhës është bërë një këmbësor, i cili po kalonte rrugën në autostradë dhe për pasojë është përplasur nga një makinë. Burimet bëjnë të ditur se bëhet fjalë për një endacak, i cili ka zgjedhur të kalojë përmes autostradës Tiranë-Durrës 20 metra larg nga mbikalimi. Policia ka shkuar në vendngjarje dhe po heton për të zbardhur të plotë aksidentin. Sipas policisë, grupi hetimor po punon për identifikimin e viktimës dhe zbardhjen e rrethanave të aksidentit. Drejtuesi i mjetit është ndaluar në flagrancë dhe është shoqëruar nga shërbimet e Qarkullimit Rrugor Tiranë.
Kjo është viktima e dytë brenda pak ditësh në autostradën Tiranë-Durrës, ku humbi jetën tragjikisht edhe një shtetas tjetër, i cili u masakrua nga goditja e fortë e mjetit që i shkaktoi këputjen e kokës.

Artikulli paraprakDy raste dhune barbare të denoncuara, policia bën sehir
Artikulli tjetërMediu: Nuk ka zgjedhje të ndershme me këtë qeveri