Aksident në Lezhë, furgoni përplas për vdekje këmbësorin

Një i moshuar humbi jetën, pasi u përplas nga një furgon në superstradën Lezhë-Laç. Aksidenti u regjistrua rreth mesnatës dhe viktima është Lek Bela, 74 vjeç, nga fshati Pllanë i Lezhës. 74-vjeçari ishte duke lëvizur në anë të supestradës, kur u godit nga një furgon mallrash që drejtohej nga Ardit Dani, 32 vjeç, banues në Tiranë.
Përplasja ka qenë e fortë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme të moshuarit. Nga të dhënat e para të policisë është bërë e ditur se shkak për aksidentin ka qenë errësirë në rrugë dhe shpejtësia tej normave të lejuara që po lëvizte drejtuesi i furgonit, i cili e ka patur të pamundur të manovrojë që të shmangte përplasjen.
Drejtuesi i mjetit, që shkaktoi aksidentin është arrestuar. Ky është aksidenti i dytë i kësaj natyre që ndodh në superstradën Lezhë-Laç, pasi dhe tre ditë më parë një automjet përplasi për vdekje një këmbësor, ndërsa autori i aksidentit ende nuk është identifikuar dhe ndaluar nga policia.
Një tjetër aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Rrugën e “Kombit”. Një kamion ka humbur kontrollin, duke dalë nga rruga dhe ka rënë në humnerë. Aksidenti ka ndodhur pranë fshatit Skuraj, ku forca të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje. Drejtuesi i kamionit është nxjerrë nga mjeti dhe është dërguar në spital në gjendje të rënd shëndetësore. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e këtij aksidenti.

Exit mobile version