Aksidentet e pilotëve/ 15 milionë dollarë dëme, ja “shkatërrimtarët” e makinave në F1

Formula 1 është gati për ndalesën e radhës në një kampionat që po rezulton interesant dhe me surpriza, pas shpërthimit të Sharl Lëklerkut në Monako.

 

Në prag të Çmimit të Madh të Kanadasë që do të mbahet këtë fundjavë në Montreal, skuderitë numërojnë pikët në klasifikim, me Ferrarin që shpreson në hapjen e një kampionati, i cili parashikohej se s’do të kishte histori për Red Bullin.

Por ndërkohë 10 skuadrat duhet të bëjnë gjithashtu llogaritë edhe me dëmet prej më shumë sesa 15 milionë dollarë, pasi është kjo shifra e kostove për riparimet e dëmeve të shkaktuara nga pilotët në makina deri në Çmimin e Madh të Montekarlos, me aksidentet që kanë bërë. Serxho Perez, Aleks Albon dhe Daniel Rikardo, pas aksidentit në Montekarlo, kryesojnë listën si pilotët më “shkatërrimtarë”.

Fatura që Red Bulli ka paguar deri më tani për dëmet e meksikanit është plot 2.452.000 dollarë. Ndërkohë, Albon dhe Rikardo u kanë kushtuar skuadrave të tyre Uilliams dhe RB, përkatësisht 2.040.750 dhe 1.222.000 dollarë.

Ndërsa duke mbledhur kostot e riparimeve të dëmeve nga të dy pilotët, Uilliams ndodhet në vendin e parë me një total prej gati 3 milionë dollarësh. Në epokën e rregullave të limitit për buxhetin (budget cap), skuadrat janë shumë të varura nga pilotët dhe aksidentet që ata shkaktojnë duke dëmtuar njëvendëshet.

Kjo pasi çdo shpenzim i bërë nga ekipet për të riparuar makinat, ngarkohet në buxhetin e zhvillimit sezonal. Mes Uilliamsit dhe Red Bullit, këta të fundit rrezikojnë të humbasin më shumë për shkak të situatës aktuale. RB20 s’ka arritur që të ruajë dominim e vitit të kaluar me modelin RB19, që do të thotë se për Red Bullin do të jetë thelbësor zhvillimi konstant i makinës, në mënyrë që të ruajë avantazhin e lehtë që ka ndaj kundërshtarëve.

 

Por aksidenti i rëndë që shkaktoi Perez në Montekarlo rrezikon të jetë një handikap i madh për vijim e sezonit. Aksidente të tjera të mundshme nga Perez apo Maks Vershtapen, mund ta detyrojnë skuadrën që të ndërpresë azhurnimet e planifikuara, veçanërisht për pjesën e dytë të sezonit. Ndërkohë, në tabelë ju pasqyrojmë dëmet financiare që pilotët u kanë shkaktuar deri në këtë pikë të sezonit skuadrave të tyre.

Artikulli paraprak“1 pompist mori 50 mln lekë paga”, Gjergji Nika shpjegon skemën abuzive në UKV: Janë edhe 120 punonjës gati për gjyq, shuma mund të shkojë në 8 mln euro
Artikulli tjetërCeno Klosi jo më drejtori i Tatimeve pasi SPAK e vuri nën hetim për 4 vepra penale, analisti: Ka kontradikta për largimin e tij! Do ta shohim nëse do të…