Aksidentet, me numrin më të lartë të viktimave në rajon

Aksidentet e shumta rrugore në Shqipëri lidhen direkt me investimet e pakta në mirëmbajtjen e rrugëve. Përfaqësuesja e Bankës Botërore, Tahseen Sayed, duke folur në konferencën mbi “Standardet e Sigurisë Rrugore në Bashkimin Evropian si pikë referimi për Shqipërinë tha se, Shqipëria duhet të rrisë shpenzimet për infrastrukturën, nëse do që të ulë numrin e aksidenteve.
“Mesatarisht, Shqipëria shpenzon 3 mijë euro për mirëmbajtjen e një kilometri rrugë në vit. Ndërkohë që shumë shtete të rajonit shpenzojnë 5 mijë deri 7 mijë dollarë për kilometër. Investimet mbeten të pakta, në një kohë që qarkullimi është shtuar dhe sjelljet e gabuara të drejtuesve janë rritur, duke shkaktuar më shumë aksidente. Shqipëria shpenzon vetëm 8% të buxhetit për investime në rrugë dhe kjo është vetëm 30% e asaj që duhet”, tha Sayed.
Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto deklaroi se janë shtuar investimet kohët e fundit, duke ndikuar në uljen e aksidenteve, por sipas tij, problem sensibilizimi i qytetarëve dhe dëmtimi i sinjalistikës. “Në mënyrë optimale, investimet për sigurinë rrugore duhet të ishin shumë herë më të larta dhe në mënyrë të vazhdueshme. Mund të them se, në 3 vitet e fundit, janë realizuar rreth 30 milionë dollarë investime”, tha ai.
Në përfundim të konferencës u prezantua një raport, ku binte në sy fakti se, Shqipëria kishte numrin më të lartë të vdekjeve për numër popullsie në krahasim me vendet e rajonit. Sipas raportit të fundit të INSTAT, numri i aksidenteve rrugore gjatë 3-mujorit të parë të këtij viti ka pësuar një rritje me 10.5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ku shkuan 1.5 miliardë lekët për sigurinë?
Në tremujorin e parë të 2016 aksidentet rrugore pësuan një rritje vjetore me mbi 10% njoftoi INSTAT nëpërmjet Buletinit Statistikor. Kjo edhe pse fondet për sigurinë rrugore vitin e kaluar janë rritur ndjeshëm, duke arritur në 1.5 miliardë lekë, sipas buxhetit.
Fokusimi i politikës së re qeverisëse për rritjen e sigurisë rrugore me qëllim uljen e aksidentëve në rrugë me 40 për qind (viti referencë 2009) deri më 2020, duket se nuk po funksionon.
Vitin e kaluar fondet për sigurinë rrugore arritën në 1.5 miliardë lekë nga më pak se 100 milionë lekë që ishin këto fonde para 2009, sakaq viktimat nga aksidentet në rrugë ngjajnë me një bilanc lufte.
Numri i aksidenteve arriti në 421 në tremujorin e parë 2016, nga të cilët 56 humbën jetën. Numri i personave të vdekur në këtë tremujor u rrit me 3.8 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të 2015.
Numri i personave të plagosur ishte gjithsej 500, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar pësoi rritje 3,3%. Referuar të njëjtës periudhë krahasimi, numri i personave të plagosur femra është rritur 11,3%, ndërkaq tek meshkujt ky tregues nuk paraqet ndryshim, raportohet nga INSTAT.
Nga një analizë më të hershme e Bankës Botërore thuhet se shkaku kryesor i aksidentëve është planifikimi i rrugëve, duke përfshirë dhe rastet kur për shkak të planifikimit përzihen përdoruesit vulnerabël të rrugës në trafikun (për shembull, për shkak të mungesës së kryqëzimeve apo trotuareve).
Në bazë të këtij konkluzion qeveria shqiptare dhe Banka Botërore kanë nënshkruar marrëveshjen e huasë prej 65.9 milionë eurosh, shumë e cila do të shkojë me qëllim mirëmbajtjen dhe sigurinë në rrugë, që parashikon ruajtjen e aseteve rrugore, për të siguruar investimin e madh të qeverisë shqiptare në rreth 1400 km rrugë që do të mirëmbahen me një standard të ri.
Kjo hua është pjesë e një projekti që bashkëfinancohet edhe nga qeveria shqiptare me një vlerë prej 41.2 milionë eurosh. Projekti do të zbatohet nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës nëpërmjet Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe parashikohet të përfundojë më 31 dhjetor 2021.
Mirëpo edhe pse fondet për sigurinë rrugore po vijnë në rritje, aksidentet në rrugë po vijnë në trend rritjeje gjithashtu.

Artikulli paraprakMakina e fundosur në Shkopet mund të jetë e grabitësve të Rinasit
Artikulli tjetërEdhe stadiumi i Shkodrës rrudhet si Lungomarja e Vlorës!