Në muajin shkurt 2017 numërohen 117 aksidente rrugore. Në krahasim me janar 2016, numri i aksidenteve rrugore u ul me 13,3%. Numri i të aksidentuarve në shkurt 2017 është 159 persona nga 172 që ishte një vit më parë, raportoi dje INSTAT. Numri i të aksidentuarve në periudhën janar-shkurt 2017 është ulur 14,5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri i personave të vdekur gjatë muajit shkurt është 17 dhe krahasuar me mesataren e personave të vdekur gjatë vitit 2016, ky numër është ulur me 22,7%. Në dy muajt e parë të vitit 2017, numri i personave të vdekur është rritur me 2,6%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2016.
Aksidentet rrugore, në 83,8% të rasteve, kanë ndodhur nga sjellja e drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve (33,3%) është kryer nga grup mosha 25–35 vjeç. Në shkurt 2017, numri të aksidentuarve (vdekur apo plagosur) për 100.000 banorë ishte afërsisht 6 persona, krahasuar me mesataren e vitit 2016 ky numër u ul me 25,0%. Sipas Strategjinë Kombëtare të Sigurisë Rrugore 2011–2020, numri i vdekjeve në aksidentet rrugore duhet të zvogëlohet në masën 30–50% deri në vitin 2020 krahasuar me vitin 2009. Kjo është ekuivalente me një maksimum prej rreth 250 viktima më 2020.
Sipas një analize që Ministria e Transportit ka bërë për vitin 2015 shkelja e rregullave të qarkullimit nga drejtuesit e automjetit ka qenë shkaktari kryesor i aksidenteve. Tejkalimi i shpejtësisë tej normave të caktuara 75,5% dhe mosrespektimi i rregullave të qarkullimit si: tërheqje e vëmendjes gjatë drejtimit të mjetit, parakalime të gabuara, mosmbajtje krahu, mosrespektim i distancës ndërmjet mjeteve, mosrespektim i sinjalizimit rrugor, ngarje mjeti i papajisur me leje drejtimi në 20,2% të rasteve janë disa nga shkaqet. Gjatë muajve të verës dhe konkretisht në muajin gusht, kur kemi një fluks më të madh të mjeteve që futen në territorin shqiptar dhe në fund viti muaji dhjetor vihet re një rritje e aksidenteve mbi normat 20 për qind.
Për mospërdorim të rripit të sigurimit në automjete dhe kaskës mbrojtëse në motoçikleta, kanë ndodhur 24.5% të aksidenteve fatale më 2015. Shqetësim janë dhe aksidentet e ndodhura sipas tipit automjet me këmbësor, të cilat kanë ardhur në rritje këto vitet e fundit dhe konkretisht për vitin 2015, ato fatale janë 37,3% kundrejt totalit.