Një aksident i rëndë u shënua mëngjesin e sotëm në Skrapar. Një mikrobus që transportonte nxënësit për në gjimnazin e Çorovodës ka dalë nga rruga edhe është përmbysur.
Nga të dhënat e para flitet për 10 nxënës të plagosur, ku 4 prej tyre janë dërguar në Spitalin e Beratit. Ndërsa një vajzë 17-vjeçare po transportohet në Spitalin e Traumës në Tiranë, pasi paraqitet në gjendje më të rëndë. Të gjithë të plagosurit janë të moshës nga 14 deri në 17 vjeç.
Mikrobusi me traga AA 445 KE transportonte nxënësit e fshatrave Buzuq dhe Orizaj për në shkollën e Çorovodës.
Njoftimi i policisë për ngjarjen
Në orën 07:35, mjeti me targa AA 445 KE me drejtues shtetasin A.H, që transportonte nxënës shkolle nga fshatrat Buzuq dhe Orizaj për në shkollën e Çorovodës, ka dalë nga rruga.
Për pasojë nxënësit E.K, 17 vjeçe , A.K, 17 vjeçe, R.H, 17 vjeç dhe B.H, 17 vjeç po dërgohen në Spitalin Rajonal Berat për të marrë ndihmë mjekësore.
Ndërsa nxënësja R.K, 17 vjeçe, po transportohet në Spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë më të specializuar.
Drejtori i Qendres së Emergjencave, në Spitalin e Traumës, Skënder Brataj në një prononcim për median informoi se gjëndja e përgjithshme shëndetësore e vajzës është e mirë.
“Ka frakturë të kockës së këmbës dhe shtypje të mushkërive. Presim dhe ekzaminime të tjera. Vajza do i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale në këmbë”, u shpreh doktori.
Brataj tha se nuk prisnin të vinin raste të tjera urgjente nga ky aksident por mbase në orët në vazhdim mund të transportohet me autoambulancë ndonjë fëmijë që ka nevojë për mjekim të specializuar.
Femijet po shkonin në shkollë me furgon kur ky i fundit u rrëzua duke shkaktuar 10 të plagosur, 5 prej tyre kanë plagë më të rënda se të tjerët