Ka bërë shumë bujë në opinion publik, aksidenti i rëndë që shkaktoi ditën e djeshme gazetarja, Mira Kazhani, ku si pasojë një i ri gjendet në rrezik serioz për jetën në Spitalin Ushtarak. Që nga dalja e lajmit u përfol, se në makinë me Kazhanin ka qenë edhe një emër tjetër i njohur i botës së televizionit.
Sot nga burime brenda Komisariatit Nr.6 në Tiranë i cili po ndjek hetimet për ngjarjen mësohet, se Kazhani në momentin e aksidentit të rëndë ka qenë nën shoqërinë e moderatores së njohur Anjeza Maja. Kjo e fundit është thirrur, edhe nga policia për të dhënë dëshminë për ngjarjen.
Aksidenti i rëndë ndodhi në autostradën, Tiranë-Durrës, ndërkohë që dy mikeshat po ktheheshin nga qyteti bregdetar. Sipas policisë, 20-vjeçari ka tentuar të kalojë krahun tjetër të autostradës, për të shkuar në stacionin e autobusit, por është goditur në kokë dhe pjesë të tjera të trupit nga automjeti që drejtonte Mira Kazhani.
Kjo e fundit ende ndodhet në komisariatin numër 6 në Tiranë, ku po pyetet nga grupi hetimor, ndërsa 23-vjeçari i shtypur gjendet në spital në gjendje kome dhe rrezik për jetën.