Një vajzë është nxjerrë e gjallë nga furgoni në Gjirokastër. Pas 5 viktimave nga furgoni që ra në greminë, një vajzë duket se ka mbijetuar.
Ajo quhet Greta Kaberdini dhe është dërguar në spital dhe momentalisht i ka shpëtuar rrezikut. Vajza është shtatzënë dhe mesa duket ka marrë lëndime, por është jashtë rrezikut për jetën.
Për mediat ka folur e motra e vajzës që shpëtoi duke treguar si një ditë më parë i kishte rrëfyer se kishte një parandjenjë të keqe.
“Ishte shumë e tronditur, qante. Tha që ishte mirë. Ka thyer krahun. Uaaa! Nuk e di, nuk ka fat më të madh. Nuk e di çfarë të them. Po vinte te unë në Sarandë. Dhe më tha që kam një parandjenjë të keqe që dje. Zoti është i madh nuk e di”, tha ajo.
Ndërkohë viktima nga aksidenti mbetën çifti i bashkëshortëve Fiqiri e Drite Korçari, 77 dhe 72 vjeç si dhe shoferi i furgonit taksi, Bardhi Proda.
Aksidenti tragjik ndodhi pasditen e sotme në Qafë Muzinë të Gjirokastrës ku furgoni devijoi për të evituar përplasjen me një fuoristradë duke përfunduar në greminën 50 metra.