Aksidenti në Kavajë, hetohet tenderi korruptiv prej 300 mln lekësh

Tenderi i zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar më 6 janar të këtij viti është pista ku hetuesit po zbardhin aksidentin e ndodhur të shtunën në Bay Pas-in e Shkozetit, ku u regjistruan dy viktima e 4 të plagosur. Kompanitë BE – IS dhe PIENVIS fituan tenderin prej 30 milionë lekësh të reja.
Është i njëjti tender që u përfol në aksidentin e ndodhur më 7 maj në autostradën Plepa – Rrogozhinë, ku si pasojë e mungesës së parmakëve mbrojtës humbën jetën dy fëmijë dhe u plagos nëna e tyre bashkë me fëmijën tjetër të saj 1 vjeç.
Hetuesit dyshojnë se, firma fituese e tenderit të mirëmbajtjes së rrugës mund të ketë korruptuar drejtues të Autoritetit Rrugor Shqiptar që të mbyllnin sytë ndaj shkeljes së standardeve të sigurisë, me qëllim përfitimin e parave të dhëna për sigurinë rrugore. Ky tender iu dha kompanisë PIENVIS edhe pse ajo kishte qenë në konflikt gjyqësor direkt me Autoritetin Rrugor Shqiptar, pikërisht për shkak se kundërshtonte vendosjen e parmakëve në vendin ku ndodhi aksidenti, pasi në këtë mënyrë i mbyllej aksesi në autostradë i kësaj pike karburanti, që ajo ka në pronësi.
Por teksa hetimet për këtë rast u përqendruan tek përgjegjësitë e Autoritetit Rrugor Shqiptar për moszbatimin e vendimit të formës së prerë të Gjykatës për vendosjen e parmakëve metalikë, për aksidentin e të shtunës dyshohet se, kushtet e kontratës nga fituesit e tenderit janë shkelur për afera korruptive.
Për këtë qëllim, çështja është marrë në dorë nga Seksioni për Korrupsionin në Drejtorinë e Policisë së Durrësit, që ka proceduar në gjendje të lirë Hamz Islamajn, aksioner i vetëm dhe administrator i BE – IS, për shkak se barrierat mbrojtëse ku u përplas makina ku udhëtonin 2 viktimat dhe 4 të plagosurit ishin të dëmtuara dhe jashtë standardit.
Neni 248 i Kodit Penal me të cilin është proceduar Islamaj përfshin “kryerjen ose moskryerjen me dashje të veprimeve në kundështim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë”.
Hetimet për zbardhjen e aksidentit të dytë rrugor me pasoja të rënda që ndodh në këtë aks brenda dy javësh, janë shtrirë sërish në zyrën e Autoritetit Rrugor Shqiptar. Por këtë herë, veç shpërdorimit të detyrës që çoi në pranga 3 drejtorë të këtij institucioni, burimet policore dhe të Prokurorisë së Durrësit thonë se dyshohet që drejtues të lartë të Autoritetit Rrugor Shqiptar mund të jenë përfshirë në afera korruptive.

Exit mobile version