Prokuroria e Kavajës ka firmosur dy urdhër ndalimi për dy zyrtarë të Autoritetit Rrugor të Shqipërisë (ARRSH), Kavajë. Mësohet se dy zyrtarët për të cilët është kërkuar ndalimi janë Bib Gjomarkaj, drejtori Rajonal i ARRSH, Tiranë, dhe Dritan Fejzo, drejtori Juridik i ARRSH. Dyshohet se këta zyrtarë janë përgjegjës për mos kompletimin e aksit rrugor ku ndodhi aksidenti i humbjes së jetës së dy fëmijëve, me barrierat mbrojtëse.
Prokuroria e Kavajës ka konfirmuar këtë informacion, duke bërë të ditur zyrtarisht se oficerët e Policisë Gjyqësore urdhëruan ndalimin e dy zyrtarëve të Autoritetit Rrugor Shqiptar, të dyshuar për “Shpërdorim detyre”. Këto urdhër ndalime janë bërë në vijim të hetimit të nisur me iniciativë pas aksidentit të së dielës, ku mbetën të vdekur dy fëmijë.
Në këtë aksident rrugor humbën jetën dy fëmijë, të cilët ishin në një automjet të drejtuar nga nëna e tyre. Urdhëri i Prokurorisë së Kavajës është zbatuar pasditen e djeshme.