Aksidentohet furgoni me nxënës në Fushë Krujë, lëndohen 7 fëmijë

Një furgon që transportonte nxënës shkolle është aksidentuar në afërsi të fshatit Bilaj në Fushë Krujë pak pas mesditës së djeshme. Si pasojë e aksidentit janë lënduar 7 fëmijë, nxënës të shkollës 9-vjeçare nga të cilët dy janë në gjendje të rëndë dhe po trajtohen në Spitalin e Traumës në Tiranë. Humbja e kontrollit të mjetit dyshohet të ketë qenë shkak për aksidentin e rëndë, ndërkohë që drejtuesi i tij është shoqëruar në polici.
Një fëmijë që udhëtonte në furgon i ka thënë gazetarit tonë se në makinë ndodheshin rreth 30 fëmijë në momentin e aksidentit, mbi kapacitetin që mban mjeti, dhe askush prej tyre nuk ka qenë i lidhur me rripin e sigurimit.
Aksidenti vjen pikërisht në ditën që Policia Rrugore ndërmori një aksion mbarëkombëtar në të gjithë vendin për të sensibilizuar drejtuesit të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.
Policia informon: “Më datë 13.12.2016, rreth orës 14:30, në fshatin Bilaj, Fushë-Krujë, mjeti tip “Furgon” me targa AA 580 FE, me drejtues shtetasin G.N., i cili transportonte nxënës shkolle, ka dalë nga rruga. Për pasojë, vetëm një nxënës ka fraktura në krah, i cili është jashtë rrezikut për jetën”, njofton Policia e Durrësit. Policia ka shkuar në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve.

Artikulli paraprakPërplasen dy makina në Vlorë, plagoset rëndë një vajzë
Artikulli tjetërPolicia në aksion për të mbushur arkën e shtetit, në 1 orë, 1500 gjoba