Aktakuza: “Rrëzimi me forcë i pushtetit popullor”

“Duke formuar një organizatë tradhtare-sabotatore, të lidhur me kriminelët e luftës jashtë dhe brenda Shqipërisë dhe të shtyrë e të ndihmuar nga agjentët e imperializmit anglo-amerikan, kanë kryer akte sabotazhi, spiunazhi, terrorizmi për rrëzimin me forcë të pushtetit popullor dhe për sjelljen në fuqi të regjimit shtypës të Ballit e Legalitetit. Mbas kësaj u bë apeli i të pandehurve, të cilët u ndodhën të gjithë prezent. U mor identiteti i tyre: 1) Shefqet Beja, i biri i Hasimit dhe i Havasë, lindur më 1912 në Durrës dhe banues atje, me profesion tregtar, i martuar, me fëmijë, me arsim fillor, i padënuar. 2) Enver Sazani, i biri i Hilmiut dhe i Nafijes, vjeç 37, lindur në Himarë dhe banues në Tiranë, i martuar, me një fëmijë, me arsim të lartë, me profesion mjek, i padënuar. 3) Sheh Ibrahim Karbunara, i biri i Rushitit dhe i Hamdijes, vjeç 67, lindur dhe banues në katundin Karbunarë të Lushnjës, me profesion Fetar, mbaruar Medresenë, i martuar, me fëmijë, i padënuar. 4) Selaudin Toto, i biri i Rizait dhe i Hilvijes, vjeç 34, lindur në katundin Progonat të Kurveleshit e banues në Tiranë, me profesion profesor, me arsim të lartë, i padënuar. 5) Irfan Majuni, i biri i Hiqmetit dhe i Havasë, vjeç 36, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë, me profesion nëpunës, i martuar, me fëmijë, me arsim të mesëm, i padënuar. 6) Tefik Deliallisi, i biri i Masarit dhe i Nurijes, vjeç 37, lindur në Shijak dhe banues në Durrës, me profesion mësues, i martuar, me fëmijë, me arsim të mesëm i padënuar. 7) Hysen Shehu, i biri i Ibrahimit dhe i Sulltanes, lindur më 1912 në katundin Karbunarë të Lushnjës, i martuar, me 2 vjet gjimnaz, i padënuar. 8) Salim Kokalari, i biri i Selimit dhe i Xhevos, vjeç 50, lindur në Gjirokastër dhe banues në Durrës, me profesion mësues, i martuar, me fëmijë, me arsim të mesëm, i dënuar në vitin 1935 politikisht dhe në muajin shkurt 1946 për kontrabandë floriri. 9) Sulo Konjari, i biri i Idrizit dhe i Ballkëzit, vjeç 44, lindur në Gjirokastër dhe banues në Durrës, me profesion farmacist, i martuar, me fëmijë, me arsim fillor, i padënuar. 10) Ramazan Tabaku, i biri i Hysenit dhe i Gjyles, vjeç 46, lindur në Tiranë dhe banues në Durrës, me profesion telegrafist, i martuar me fëmijë, me arsim fillor, i padënuar. 11) Gjovalin (Gjon) Vlashi, i biri i Gjergjit dhe i Rozës, vjeç 34, lindur dhe banues në Durrës, me profesion avokat, i pamartuar, me arsim të lartë, i padënuar. 12) Rustem Sharra, i biri i Haxhiut dhe i Nurijes, vjeç 40, lindur dhe banues në Kavajë, me profesion tregtar, i martuar, me fëmijë, me arsim fillor, i padënuar. 13) Xhevat Xhafa, i biri i Hasanit dhe i Bakushes, vjeç 34, lindur dhe banues në Kavajë, me profesion mësues, i martuar, me fëmijë, me arsim të mesëm, i padënuar. 14) Rram Marku, i biri i Haxhiut dhe i Hatixhes, vjeç 46, nga katundi Shatol i Shijakut, me profesion bujk, i martuar, me fëmijë, me arsim fillor, i dënuar në kohën e Zogut me 21 vjet burg për vrasje. 15) Beqir Çela, i biri i Mustafait dhe i Emines, vjeç 34, nga Durrësi, me profesion mësues, i martuar, me fëmijë, me arsim të mesëm, i padënuar. 16) Riza Alizoti, i biri i Fejziut dhe i Ismihanit, vjeç 37, lindur në Stamboll të Turqisë dhe banues në Kuçovë, me profesion inxhinier, i martuar, me fëmijë, me arsim të lartë, i padënuar. 17) Sulo Klosi, i biri i Ismailit dhe i Zakijes, vjeç 31, lindur në Klos të Mallakastrës dhe banues në Tiranë; me profesion inxhinier, i martuar, me fëmijë, me arsim të lartë, i dënuar në kohën e Zogut politikisht. 18) Paolo Saggiati, i biri i Domenicos dhe i Gjinevrës, vjeç 40, lindur në Manutto dhe banues në Gova të Italisë, qëndrues në Kuçovë, me profesion nëpunës industrial, i pamartuar, krye Institutin Industrial, i padënuar, i cili u pyet me anën e përkthyesit Kapiten i Gafur Korçës. 19) Foto Bala i biri i Dhimitrit dhe i Marisë, vjeç 37, lindur në katundin Vuno të Himarës dhe banues në Korçë, me profesion profesor, i martuar, me fëmijë, me arsim të lartë, i padënuar. 20) Abdyl Kokoshi, i biri i Asimit dhe i Meshtanes, vjeç 37, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, me profesion kafexhi, me arsim të lartë (Fakultetin e Drejtësisë), i martuar, me fëmijë, i padënuar. 21) Shefki Minarolli, i biri i Refatit dhe i Gjylizarit, vjeç 44, nga Pogradeci, dhe banues në Elbasan, me profesion hotelier, i martuar, me fëmijë, me arsim fillor, i padënuar. 22) Pertef Karagjozi, i biri i Samiut dhe i Bedrijes, vjeç 39, lindur në Gjirokastër dhe banues në Tiranë, me profesion nëpunës, i martuar me fëmijë, me arsim të mesëm, i padënuar. 23) Mehmet Prishtina, i biri i Jahjajt dhe i Gjylizarit, lindur më 1926 në Shijak dhe banues në Tiranë, me profesion tregtar, i pamartuar, me 3 klasë gjimnaz, i padënuar. 24) Agathokli Xhitoni i biri i Thomait dhe i Athinasë, vjeç 59, lindur dhe banues në Përmet, me profesion shkrues-publik, i martuar, me fëmijë, me arsim të mesëm, i dënuar me 5 vjet burgim për kundërvajtje”.

Dokumenti

Shënimet e Enver Hoxhës
Nuk kaloi as një vit nga koha kur ky grup kishte filluar nga veprimi konkret dhe kur Enver Hoxha konstatoi personalisht që në muajin e tretë të Parlamentit diçka po lëvizte pas personit të Riza Danit dhe misionarëve amerikanë. Ky moment kishte qenë diskutimi i bujshëm i Danit, i cili në emër të grupit po kundërshtonte me gjithfarëlloj argumentesh projektkushtetutën e parë. Pas kësaj, do të vinte mbikëqyrja e deputetëve në mënyrën më të sofistikuar dhe më të rreptë, derisa së fundmi të vinte arrestimi i tyre. Në këtë pikë ka ndërhyrë dhe vetë Enver Hoxha. Është pikërisht urdhri i tij, pothuajse verbal që vendoste përfundimisht fatin e një pjese të deputetëve të Parlamentit të parë shqiptar. Konkretisht, në një letër të lëshuar me firmën e tij shkruhet:
“Rendi i ditës: Sot, më 14.05.1947, shqyrtimi i çështjes së arrestimit të disa të burgosurve. U muar vendim për arrestimin e 10 deputetëve dhe gjithashtu u muar vendim për arrestimin e Kadri Hoxhës, meqenëse ishte ngjarje urgjente dhe kjo çështje do t’i paraqitej Komitetit Qendror të PKSH. Partia do të skjarohet në lidhje me këtë për luftën që duhet bërë kundra reaksioneve dhe gjithë elementëve nacionalistë. Duhet të kuptohet se ata që punojnë shtrembër, do të dënohen, ndërsa ata që punojnë drejt e ndershëm duhet të veçohen. Partia jonë kërkon të sqarohet proçesi”.

(Poshtë janë firmat e nënshkruara nga Enver Hoxha, Shefqet Peçi, Hysni Kapo dhe Nako Spiru)
Dokumenti sekret

Exit mobile version