Aktivisti denoncoi produktet e skaduara, CONAD e padit në gjyq

Eksperti i Ekonomisë Ilir Ciko, disa javë më parë denoncoi produktet e skaduara të Conad Albania përmes një postimi informues edhe për miqtë e tij.

Nisur nga fakti që këto produkte prekin direkt shëndetin tonë, eksperienca personale e Cikos u shpërnda masivisht në rrjet dhe tashmë, pikërisht kur pritej ndonjë hetim për CONAD, është ky i fundit ai i cili ka hedhur në gjyq denoncuesin.

Ndërkaq, Ilir Ciko u bën apel konsumatorëve t’i bashkohen seancës gjyqësore për të rritur vëmendjen te e drejta e konsumatorit dhe siguria ushqimore.

“Seanca e parë e kësaj çështjeje mbahet në Gjykatën e Tiranës, Seksioni Penal, të martën, 26 Mars, ora 11:30. Të drejtat e konsumatorëve, siguria ushqimore, mbrojtja e konsumatorit dhe mbi të gjitha, liria e shprehjes në Shqipëri vihen në prove në këtë çështje asimetrike mes një kompanie kundër një konsumatori individual.

Ju ftoj t’i bashkoheni gjykimit për të rritur vëmendjen ndaj çështjeve të rëndësishme në të si dhe për të mundësuar një proces ligjor të drejtë dhe në respekt të ligjit”, shkruan Ciko.

ARTIKULLI I PLOTË I ILIR CIKOS:
Të drejtat e konsumatorit, siguria ushqimore, mbrojtja e konsumatorit, dhe liria e shprehjes: Nën sulm. Më datë 18 Tetor 2018, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin 71/2018, mbi disa ndryshime në ligjin Nr. 9902, 17.4.2008, ‘Për mbrojtjen e konsumatorëve’.

Mes ndryshimeve në ligj, të cilat i shpëtuan vëmendjes së mediave, organizatave të konsumatorit dhe atyre ndërkombëtare, apo debatit publik mbi këtë çështje, përfshihet edhe zvogëlimi drastik i penaliteteve ndaj kompanive që shkelin dispozitat e ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve, nga 2% e të ardhurave vjetore të kompanisë gjatë vitit pararendës (sikurse ishte më parë në ligj), në vetëm 300.000 lekë për shkeljet kryesore.

Ky ndryshim thelbësor i penaliteteve në ligj përbën një kthesë të rëndësishme prapa prej praktikave europiane në fushën e mbrojtjes së konsumatorit, shumë prej vendeve të Bashkimit Europian sot zbatojnë penalitete që tejkalojnë 4% të të ardhurave vjetore të kompanive që shkelin të drejtat e konsumatorit.

Ndryshimi i ligjit u jep një avantazh të çmuar kompanive të mëdha në Shqipëri, duke i lejuar ato të ushtrojnë lirshëm presionin mbi konsumatorët, duke qenë se frenuesi kryesor i praktikave të tilla që dëmtojnë konsumatorin, për to, me ndryshimet në ligj, praktikisht është tërësisht i eleminuar – provë që “dora” e padukshme, funksionon.

Si çdo konsumator, më 2 Shkurt 2019, kam blerë një produkt ushqimor (kërpudha) në një nga dyqanet (Rruga e Kavajës) e Conad Albania në Tiranë. Produkti kishte etiketën në shqip të vendosur në mënyrë të dyshimtë mbi etiketën origjinale italiane.

Pas heqjes së etiketës në shqip, vura re se informacioni mbi skadimin e produktit në etiketën italiane ishte gërvishur duke fshirë datën që ndodhej në të. Pas blerjes në dyqan dhe të sasive të tjera të produktit, vura re se të gjitha kishin të njëjtin problem: etiketa shqip mbulonte atë në italisht dhe informacioni mbi skadimin ishte fshirë nga etiketa e fshehur origjinale në italisht.

I shqetësuar nga një praktikë e tillë, në dukje e padrejtë, mashtruese dhe e dëmshme, kam shkruar një postim në Facebook rreth këtij rasti, duke ngritur pyetjen se kush duhet të mbrojë shqiptarët nga Conad dhe kompani të ngjashme që tregtojnë produkte ushqimore.

Kjo kompani, sikurse dhe të tjera, janë bërë jo rrallë objekt diskutimi publik për tregtimin e produkteve ushqimore të cilat kanë skaduar ose janë në prag skadimi, dhe në të cilat informacioni përkatës për skadimin është ndryshuar apo fshirë.

Reagimi ndaj postimit ishte i papritur, i fortë dhe mbështetës: një numër i gjerë qytetarësh, të cilët përzemërsisht i falenderoj, reaguan dhe ndanë të njëjtin shqetësim, që buron si nga përvoja e hidhur e marrjes së një produkti jo cilësor, paguar shtrenjtë dhe shitur nga një kompani që ka imazhin e tregtimit të produkteve të sigurta dhe cilësore, ashtu dhe nga dështimi i institutioneve shtetërore të cilat nuk garantojnë shmangien e praktikave të tilla të dëmshme për konsumatorin.

Kompania për këtë rast ka mbajtur një qëndrim agresiv, duke refuzuar njohjen e problemit dhe ofruar justifikime kontradiktore që nuk qëndrojnë si dhe duke vënë padrejtësisht në pikëpyetje arsyet pas denoncimit të kryer.

Por reagimi i publikut ishte edhe më i gjerë; faqja zyrtare e kompanisë në Facebook është e mbushur me zemërimin publik dhe personalisht kam marrë qindra mesazhe mbështetëse si dhe prova të konsiderueshme e madje më të rëndësishme se ato të vendosura në postimin tim.

Reagimi publik tregon për konturimin e një praktike të strukturuar të importimit nga Italia të disa produkteve ushqimore pranë ose përtej datës së skadimit, për t’u shitur më pas në Shqipëri.

Përtej reagimit publik, veç 2-3 ditë pas thirrjes sime mbi këtë çështje, Conad Albania ndryshoi krejtësisht mënyrën e etiketimit të të njëjtit produkt.

Etiketa në shqip e produktit nuk përmban informacion rreth skadimit DHE NUK MBULON etiketën origjinale italiane, ndaj konsumatorët mund të lexojnë drejtpërdrejt informacionin original mbi skadimin prej etiketës italiane.

E kam përshëndetur pa paragjykime këtë ndryshim, sikurse kam bërë thirrje për rolin që kanë institucionet inspektuese shqiptare për të parandaluar dhe penalizuar incidente të ngjashme në të ardhmen, jo vetëm me Conad, por me të gjithë furnizuesit ushqimorë në treg.

Për fat të keq, pas qasjes pozitive rreth këtij ndryshimi të vogël por fitoreje për publikun, Conad Albania ka hapur në Gjykatën e Tiranës ndjekje penale me akuzën për shpifje ndaj meje.

Një sjellje e tillë e pazakontë, tepër agresive dhe kërcënuese, duket e stisur për të mbyllur gojën ndaj meje dhe çdo konsumatori shqiptar që kërkon të mbrojë të drejtat e tij, dhe bie ndesh së pari me frymën e ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve.

Personalisht jam tërësisht i përgatitur me të gjitha provat e nevojshme dhe mbështetjen e publikut për të mbrojtur këtë çështje para gjykatës pasi nuk kam kryer kurrë ndonjë deklaratë të pavërtetë dhe ajo që kam ushtruar është e drejta e konsumatorit dhe ajo e lirisë së shprehjes.

Por veçmas aspektit personal, ky rast trajton çështje që janë tepër më të rëndësishme për publikun – sigurinë ushqimore, e cila e ndërthurur me korrupsionin dhe mungesën e kapaciteteve në institucionet inspektuese, mbetet thellësisht e kërcënuar nga praktika tregtare të cilat duhet të marrin fund.

Ndryshimet e fundit në ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve qartësisht nuk ndihmojnë aspak konsumatorin por megjithatë, mbetem plotësisht i angazhuar mbi arritjen e kësaj kauze të rëndësishme publike.

Seanca e parë e kësaj çështjeje mbahet në Gjykatën e Tiranës, Seksioni Penal, të martën, 26 Mars, ora 11:30. Të drejtat e konsumatorëve, siguria ushqimore, mbrojtja e konsumatorit dhe mbi të gjitha, liria e shprehjes në Shqipëri vihen në prove në këtë çështje asimetrike mes një kompanie kundër një konsumatori individual.

Ju ftoj t’i bashkoheni gjykimit për të rritur vëmendjen ndaj çështjeve të rëndësishme në të si dhe për të mundësuar një proces ligjor të drejtë dhe në respekt të ligjit. Ju faleminderit për vëmendjen dhe konsideratën,

Ilir Ciko

Exit mobile version