Aktorë të Kryeaktorit? Nuk më besohet…

Nga Prof. Aurel Plasari

Aktorët, të mëdhenj a të vegjël, si dhe regjisorët, të suksesshëm a më pak të suksesshëm, janë kryekëput në të drejtën e tyre të kërkojnë Teatër të ri. Edhe Aleanca për Teatrin është shprehur pro një “Teatri të ri”. Edhe dhjetëra e qindra artistë, punëtorë të mendjes, qytetarë, aktivistë, kulturëdashës etj., që vijojnë të protestojnë në mbrojtje të ndërtesës historike të ish-Rrethit kulturor “SKANDERBEG”, janë shprehur pro një “Teatri të ri”. Madje jo një teatër i ri, edhe dhjetë të tillë në qoftë e mundur, kam pas propozuar vetë si më i fundit qysh një vit e ca më parë: për aq sa e dua dhe sa kam pasur lidhje me teatrin, shqiptarin dhe botërorin.

Mirëpo ja që një kërcitje befasuese dallohet nëse bëhet pyetja se me çfarë të drejte, përpos kërkesës për një Teatër të ri, njerëz të teatrit mund të kërkuakan si bonus edhe prishjen e një korpusi, i cili duke përfshirë historinë e Teatrit, e tejkalon atë për nga vlerat e shumëfishta kulturore dhe historike?! Dhe që nuk është prona as e aktorëve, as e regjisorëve, as e punëtorëve të mendjes, por është pronë e publikut shqiptar si trashëgimi kulturore e tij deri pak kohë më parë e ruajtur nga shteti shqiptar si “monument kulture”?! Eh?! Ata që janë përnjëmend aktorë e regjisorë, përse vallë mund të merrnin përsipër nisma rrënimi që nuk kanë të bëjnë me profesionin e tyre të mrekullueshëm?

Ky shtrëngim për të kërkuar me çdo kusht jo thjesht “teatër të ri”, por shembjen e korpusit të ish-Rrethit kulturor “SKANDERBEG”, me vlerat e tij të shumëfishta – janë dëshmuar tanimë kombëtarisht e ndërkombëtarisht – do të mund të verifikohej lehtë nëpërmjet metodës eksperimentale, ose shqip provës, duke i ftuar të shqiptonin një fjali elementare dhe korrekte prej aktorësh dhe regjisorësh të nderuar: “Kam qenë dhe jam për teatër të ri, siç jam edhe për ruajtjen e kujtesës historike të kryeqytetit”. E shqiptoi, pakashumë të tillë, znj. Rajmonda Bulku dhe e shpëtoi shpirtin e vet.

* * *
Tanimë, që kam 45 vjet i pranishëm në kulturën shqiptare, më keni dëgjuar apo lexuar ndonjëherë të kërkoj të prishet kjo ndërtesë apo të rrënohet ajo ngrehinë, entitete që as janë dhe as mund të jenë prona të miat? Për të kundërtën, për ruajtjen e kujtesës historike, po, kam bërë dhe do të bëj beteja.

fb a.p. në foto: Federico García Lorca në një pushim gjatë provave në “Teatrin universitar” të themeluar prej tij një vit e gjysmë para vrasjes.

67745697 720704578400089 475711075921166336 n

Exit mobile version