Aktorët sot nuk janë lejuar të futën në sallë, ndërkohë që ministrja u ka thënë se i pret në zyrë. Ata nuk kanë kundërshtuar duke thënë se “Të vijë minisrtja tek ne”. Tashmë konflikti mes paleve duket se ka marrë trajtë tjeër. Bujar Asqeriu nuk e ka përmbajt veten fare duke iu lëshuar mallkime dhe akuza te forta ndaj Ministrise se Kultures. “Hajdutë, ju kam lënë Zotin” ka qenë shpërthimi i aktorit, i cili ka kujtuar se brezi i artistëve ka derdhur gjak në atë teatër.
Aktori i njohur Bujar Asqeriu ka shpërthyer ndaj qeverisë dhe mjerimit në të cilin janë lënë aktorët. ”Një artist i joni, më i mirë i joni merr rrogën më të ulët se një nëpunëse thjeshtë e Ministrisë së Kulturës. Domethënë ky është vlerësimi që i bën shteti shqiptar, që u bënë gjithë këtyre artistëve që luftojmë me mund dhe me djersë”, tha Asqeriu në fjalën e tij.
Deklarata e plotë
Si duket refleksionet që vijnë që qeveria dhe ministria e jonë e nderuar janë të pakta dhe të pafuqishme dhe mos të them të ftohta. Këta duket që nuk e din se çfarë është artisti, në thelb nuk e din se çfarë është artisti. Një artist i joni, më i mirë i joni merr rrogën më të ulët se një nëpunëse e thjeshtë e Ministrisë së Kulturës. Domethënë ky është vlerësimi që i bën shteti shqiptar, që u bënë gjithë këtyre artistëve që luftojmë me mund dhe me djersë.
Jo me kot kolegët tanë të nderuar ikën nga kjo botë në moshën më të re dhe askush nuk pyeti për ta, askush nuk u kujdes për ta, askush nuk e çau trapin për ta. Dhe ata ikën me një barrë pengjesh në shpirt dhe ne duhet t’i ngremë me të madhe.
Mos të them që Bujar Lako jetonte në një shteti 50 metra katror, artisti ynë i madh, kurse qeveritarët tanë kanë vila nga 5 milionë. Kjo është drama e madhe pasi vendin e udhëheqin hajdutët, këtë vend e drejtojnë hajdutët, prandaj nuk ka lekë për artistët, nuk ka lekë për teatrin dhe ne na fusin në vrimën e miut atje tek hidrocentrali. Edhe lekët për një dosje i marrin, edhe 100 lekë për një dosje e marrin e fusin në llogari. Nuk lenë lekë në këmbë, këta janë qeveritarët tanë. Nga njëherë them pse po flas, a më dëgjon njeri. Nuk na dëgjon askush, them a përmbyset kjo hajdutëri?
Ne kemi të drejtën legjitime të Zotit dhe Zoti i paftë ata dhe fëmijët e tyre. E kuptoj që ata e do të tallen me, që do të nxjerrin gjuhën me ne. Ata mendojnë se sa do të fitojnë sot. Ku do hanë drekën dhe darkën dhe me kë do bëjnë qejf sot. Nuk mendojnë asgjë tjetër. Këto ishin ndjesitë e mia. Ne me aq sa kemi fuqi, ta mbrojmë punën tonë.
Revolta e artistëve
Zhvendosja e Teatrit Kombëtar nga godina ekzistuese drejt godinës së qendrës multifunksionale “Turbina” ka hasur në kundërshti të forta nga artistët e teatrit. Mjeshtri i skenës, Robert Ndrenika në një mbledhje të hapur për mediat nga Sindikata e Artistëve, tha se nisma e Ministrisë për të lëvizur godinën e teatrit tek “Turbina” është qesharake.
“Është folur që do të bëhet një teatër dhe prapë nuk ka patur pikë transparence. Teatri bëhet një herë në 500 vjet. I takon shtetit shqiptar të ndërtojë një teatër, një teatër 500-600-vjeçar. “Turbina” ishte qesharake. Për teatër ajo nuk bën. Ajo është për ndonjë fushatë elektorale. Ne nuk duhet të lejojmë të prishet ai teatër pa marrë vesh se çdo bëhet në të”, tha Ndrenika.
Artistët kanë thënë në fund të diskutimit se me një vendim unanim kanë vendosur të kërkojnë anulimin e zhvendosjes së Teatrit Kombëtar dhe transparencë të plotë për ndërtimin e teatrit të ri. Nga ana tjetër Ministria e Kulturës, ka njoftuar se javën e ardhshme do ketë një dëgjesë publike me aktorët e teatrit dhe grupet e interesit.
E mbani mend dëgjesën e fundit publike për Butrintin? Pasi u vendos ndërtimi i një qendre bar-kafe, Kumbaro tha se, në Butrint nuk do tëketë ndërtim, por rikonstruksion. Pa u konsultuar me UNESCO-n, Parku Arkeologjik i Butrintit iu dha për shfrytëzim privatit për 5 vitet e ardhshme….
Çështja e zhvendosjes së Teatrit Kombëtar nuk është problem i shfaqur rishtazi. “Nëse shembet Teatri Kombëtar, unë do varrosem në themelet e tij”, deklaronte artisti Robert Ndrenika në shtator të 2016-ës, pak ditë pas lajmit se teatri do zhvendosej. Sot, kjo zhvendosje është një fakt. Në pranverën e 2018-ës, pritet inaugurimi i qendrës së re multifunksionale “Turbina” në zonën e Tiranës së Re. Pas Cirkut të Tiranës, vjen dhe zhvendosja e Teatrit Kombëtar, e kundërshtuar fort nga komuniteti artistik. Godina e Teatrit Kombëtar do vihet në funksion të Teatrit të Operas sipas ndryshimeve të reja.
Kullë në vend të Teatrit
Artistët pretendojnë se zhvendosja e Teatrit Kombëtar drejt qendrës “Turbina” deri sa të jetë gati projekti për një teatër të ri, fsheh pas një nga taktikat e njohura të qeverisjes së socialistëve “Ndërtimin e kullave”. Në deklaratën e tij para mediave, artisti Robert Ndrenika tha:“Ne nuk duhet të lejojmë të prishet ai teatër pa marrë vesh çfarë do bëhet me të. Ajo është pronë e jona, e juaja. Të bëjnë kullë, të bëjnë kulla, dhe në këto kulla aneks të jetë dhe teatri”.
Ndërsa ministrja Mirela Kumbaro e pyetur sot në Korçë lidhur me deklaratën e artistëve për ndërtimin e kullës ka thënë: “Salla aktuale e teatrit do të vazhdojë të jetë funksionale edhe për trupën e teatrit edhe për trupa të tjera. Teatri Kombëtar do vazhdojë të jetë në funksion deri ditën që do të na vijë projekti, por trupa e tij do zhvendoset në një mjedis shumë komod dhe ne këtë gjë e kemi dakordësuar më herët me artistët”, tha ministrja.
Në ndryshimet e propozuara nga Ministria e Kulturës, në projektligjin e bërë publik në 15 janar 2018, thuhet gjithashtu se Qendra Kombëtare e Kinematografisë do kalojë nën varësinë e Ministrisë së Kulturës.