Aktori i mirënjohur Mehdi Malkaj u shpreh gjatë fjalës së tij në protestën për mbrojtjen e Teatrit se, nuk do të votojë më 30 qershor dhe u ka bërë thirrje edhe kolegëve që të mos votojnë.
Malkaj u shpreh ndër të tjera se, e gjitha ç’po ndodh në Shqipëri ka filluar për këtë godinë, Teatrin Kombëtar, kjo ka qënë shkëndija… , ndërsa tani duket se po merr flakë!
Fjala e aktorit të shquar Mehdi Malkaj në mbrojtje të Teatrit Kombëtar
“Unë kam bindjen…” thotë dikush, Kryeministër, kryetar partie, kryetar bashkie a ku di unë … “unë kam bindjen” se është kështu apo “unë kam bindjen” se do të bëhet ashtu! Niçe thotë: Bindjet janë vetburgosje për atë që i ka. Këta janë njerëz të burgosur kur thonë që “unë kam bindjen”.
Jo! Çdo gjë është alternativë!
Unë si person e dua shumë këtë godinë, Teatrin Kombëtar, se më ka dhënë jetë, më ka dhënë emër, më ka dhënë frymë; kjo godinë më ka dhënë shumë emocion.
Unë kam një lidhje shpirtërore me ata që hyjnë e dalin aty, jetoj me frymëmarrjen e tyre dhe marr frymë nga fryma e tyre edhe tani që është bosh, unë marr fryme nga këta.
E thashë të gjithë këtë ligjëratë , do t’u lutem shumë të gjithë artistëve, nga janë e nga s’janë, se historia e zhvillimit të artit ka qënë me atë që është pjesa më sociale, më e dashur dhe gjithmonë artistët kanë qënë një hap përpara të tjerëve, prandaj kanë udhëhequr me modelin dhe me shembullin e tyre.
Në këtë rast une do t’u bëj një thirrje kolegëve nga janë e nga s’janë: ta mendojnë mirë atë që do të bëjnë, sepse ata janë model, ata udhëheqin njerëzit.
Une personalisht jam me këtë: Unë nuk votoj!…
Sepse voton për diktaturën dhe ne një diktaturë e kemi kaluar dhe do të vijmë prapë aty… Unë nuk e di si e keni kaluar juve, por mua për vete më kujtohet kur të thoshin: Rri ti, e di Partia! Mendon Partia për ty!
E keni jetuar këtë periudhë, zonja dhe zotërinj?!
“E di Partia, e di Partia…”, po mirë, natyra apo Zoti që ma ka falur trurin, për çfarë ma ka falur? Për çfarë ma ka dhënë? Në momentin që njeriu nuk fut trurin në punë, atëherë është kavje, nuk i duhet më truri , nuk i hyn në punë.
Jemi në prag të një beteje të madhe shpirtërore, na duhet që ta fitojmë ketë dhe unë kam bindjen që do ta fitojmë.
Nuk ka rrugë tjetër!
E gjitha ç’po ndodh në Shqipëri ka filluar për këtë godinë, Teatrin Kombëtar , kjo ka qënë shkëndija… Ndërsa tani duket se po merr flakë! Ju faleminderit!