Akuariumi i votës që vrau të ardhmen

Nga dr. Eljan Kasa

Bleva dy peshq dhe i vendosa në akuarium. Kanë ushqim me bollëk, ngjyra të bukura, dhe asnjë rrezik për jetën. Por sytë e tyre janë bosh, lëvizjet e tyre janë të njëjta, të mbyllura, të pajeta. Janë gjallë, por jo të lirë. Kanë çdo gjë, përveç më të rëndësishmes: lirinë për të zgjedhur vetë rrugën e tyre.
Sot nuk dua të flas për peshqit. Dua të flas për ju, për ata që më 11 maj e shitën votën për një thes me miell, për një zarf me ca të holla, për një vend pune të përkohshëm, për një premtim të zbrazët. Për ju që menduat se fituat diçka, por në të vërtetë humbët gjithçka. Sepse nuk është vetëm një fletë votimi ajo që dorëzuat në kuti, është dinjiteti, e ardhmja, dhe fjala që nuk mund ta ktheni më.
A e kuptoni çfarë keni bërë? Keni veshur vetë prangat. Keni nënshkruar me dorën tuaj që kjo qeveri e vjetër, që nuk njeh turp, të vazhdojë të sundojë me të njëjtën makineri patronazhimi, shantazhi dhe varfërie. U bëtë peshq në akuariumin e pushtetit. Ju japin ca ushqim për t’ju mbajtur gjallë, por ju kanë hequr çdo drejtim, çdo të drejtë, çdo forcë për të ndryshuar diçka.
Mos më thoni: “Nuk kishim zgjidhje.” Jo. Kishit zgjidhje. Kishit forcën e votës për të thënë mjaft, për të zgjedhur dinjitetin përpara zarfave. Dhe sot, për fajin tuaj, fëmijët tanë do të kenë më pak shpresë, më pak drejtësi, më shumë ikje, më shumë varfëri. Sepse liria nuk jepet, fitohet, dhe ju e shitët.
Ndoshta peshqit e mi në akuarium nuk kanë zgjedhje tjetër. Por ju, njerëz, qytetarë të këtij vendi ndryshe nga ata e kishit. Dhe zgjodhët të jeni më keq se ata. Tani, të paktën, mos kërkoni më ndryshim, kur vetë ishit pengesa më e madhe për të. Dhe herën tjetër, kur t’ju ofrojnë një thes për një të ardhme, të paktën pyesni veten: a jam njeri, apo vetëm një peshk në akuariumin e pushtetit?

Artikulli paraprakGjermania dhe aleatët e BE-së gati me një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë! Synojnë të ushtrojnë presion ndaj Putinit për armëpushimin në Ukrainë
Artikulli tjetërZbulohen vendimet e vitit 1972: Pasi paraqet rrezikshmëri për arratisje jashtë shtetit, Gjyle Avdi Leci të internohet për 3 vjet, kurse Ramadan Zhazedin Daullxhiu, me tetë fëmijë…