Akuza Inspektoriatit: Toleroi cisternën ‘bombë’ në Velipojë

Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, Alfred Kristuli ka folur dje për ngjarjen tragjike në Velipojë ku si pasojë e shpërthimit të gazit në një restorant turistik u plagosën disa persona. Kristuli tha për “Neës24” se shërbimi zjarrfikës ka qenë në vendngjarje për 2 minuta, ndërsa për të shmangur këto ngjarje duhet të merren masa parandaluese. “Shërbimi zjarrfikës ka qenë në vendngjarje për 2 minuta. Zjarri u fik nga personeli që ishte dhe nuk u kërkua ndihmë. Përmasa tjetër ishte tek shpërthimi. Problemi tek gazi i lëngshëm është duke u trajtuar në dy shtylla. Kryesorja janë masat dhe parandalimi si dhe ndërhyrja. ISHTI nuk kishte pse lejonte 1 mijë litra gaz të lëngshëm në një resort. Pra kush janë këto masa parandaluese? Masat parandaluese duhet të respektohen nga kompanitë. Pra janë sinjalizuesit që të njoftojnë për çdo rrjedhje gazi dhe këto sinjalizues gjenden kollaj”,  tha Alfred Kristuli.
Ndërkohë përsa i përket situatës së zjarreve në vend, drejtori i Shërbimit Zjarrfikës tha se, operacionet më të vështira kanë qenë në zjarret që ranë në Tepelenë, Berat dhe Ibë. “Shërbimi zjarrfikës nga viti 2015 i është kaluar shërbimeve vendore dhe kjo është një reformë që është bërë në kohën e duhur. Por edhe sensibilizimi i komunitetit ka ndikim. Zjarri më i rrezikshëm nisi në Tepelenë ku janë përqendruar forca edhe nga shërbimi zjarrfikës nga Gjirokastra dhe Përmeti. Po ashtu kemi edhe rastin e zjarrit në Berat dhe në Ibë, ku përveç Forcave të Shërbimit Zjarrfikës dhanë ndihmëse edhe forcat e Armatosura”, tha ai.

Shpërthimi në Velipojë, Prokuroria: Hetimet do shtrihen deri tek ISHTI

Prokuroria e Shkodrës pritet të nisë procedim penal për shpërthimin e paradites të së premtes në një restorant në Velipojë, ku nga rrjedhja e gazit u plagosën rëndë 4 persona, dy prej të cilëve në gjendje kritike për jetën. Sipas organit të akuzës, hetimet do të shqyrtojnë faktet nëse ISHTI ka kryer kontrollin teknik dhe ka dhënë leje për subjektin që të instalonte cisternën e gazit.
Procedim penal pritet të nisë edhe për pronarin e restorantit, ku ndodhi shpërthimi që kishte vendosur cisternën poshtë pallatit. Sipas Inspektoriatit Shtetëror Teknik dhe Industrial, pronari Zenuni nuk ka pasur leje për vendosjen e cisternës, dhe në kundërshtim me ligjin nuk ka kërkuar asnjëherë leje për të. Faktet pritet të verifikohen nga Prokuroria, që e cilëson çisternën 1 mijë litërshe pa kushte dhe siguri.
Gjithashtu, pritet ekspertiza e shërbimit zjarrfikës për të zbardhur detaje të tjera që ndihmojnë në hetim. Ndërkaq, mbeten në gjendje kritike pronari 55-vjeçar Besnik Zenuni dhe djali i tij Hektor Zenuni 23 vjeç, të cilët ndodhen në Repartin e Djegieve në Tiranë me djegie të shkallës së dytë dhe të tretë në gati në 50% të trupit. “Kur dëgjova shpërthimin isha në banak dhe menjëherë zbrita të shikoj çfarë po ndodhte. Aty pashë babain të shtrirë dhe menjëherë e mora në krahë, për ta nxjerrë. Pas pak sekondash ndjeva një shpërthim tjetër që më shtyu përpara. Nga aty nuk mbaj mend më”, tregon i biri.
Ndërkaq, edhe e plagosura 19-vjeçare nga Kosova, Saida Spahija, e cila punonte  në banak është transportuar drejt Tiranës për shkak se ka paraqitur probleme me sytë. Mjekët në Shkodër e kanë dërguar vajzën në Tiranë për trajtim më të specializuar.
Mëngjesin e së premtes, rrjedhja e gazit nga cisterna 1 mijë litërshe solli shpërthime të fuqishme nga të cilat u plagosën katër persona, ndërsa kanë sjellë panik dhe tmerr mes banorëve dhe pushuesve në zonë. Kanë qenë të shumtë dëshmitarët e kësaj ngjarje të rëndë që kanë rrëfyer për atë çfarë ndodhi, por gjurmë të pashlyeshme nga pamjet e rënda të shpërthimit të ditës së djeshme ka rrëfyer dhe infermierja Vjollca Voci, e cila u asfiksua pas ndërhyrjes në lokalin që u përshi nga flakët. Infermierja e ka të pamundur të heq nga mendja lutjet e dy të djegurve që ndodheshin brenda në lokal që i drejtoheshin asaj për t’i shpëtuar.

Exit mobile version