Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është pyetur për dy orë nga prokurorët e SPAK për aferën CEZ-DIA.
Pas daljes nga SPAK, Meta tha se kjo çështje po përdoret politikisht nga Edi Rama për të hequr, sipas tij, vëmendjen nga skandalet e qeverisë.
Meta u shpreh se u pyet nga prokurorët si person që ka dijeni për rrethanat, sa i takon çështjes së hetimit për aferën CEZ-DIA. Ai ritheksoi se emri i tij nuk ndodhet në asnjë akt apo dokument.
Ai pretendoi se padia është bërë nga një kallëzues i rremë që është i dënuar për dhunë në familje. Meta i referohej juristit Romeo Kara.
I pyetur në lidhje me këtë juristi Kara thotë se implikimin e Metës e ka bërë gruaja e Kastriot Ismailajt.
Disa vite më parë Romeo Kara ka publikuar një provë të rëndësishme që tregon përfshirjen e ish Presidentit Ilir Meta në aferën e CEZ-it.
Në videon e publikuar është bashkëshortja e Kastriot Ismailajt, administrator i kompanisë DIA, për mbledhjen e borxheve të CEZ-it, e cila tregon miqësinë e burrit të saj me Ilir Metën.
“Në minutat 4-5 dhe 9-10 të intervistes së saj, gruaja e Ismailajt pohon qartë se, Ilir Meta ndikoi pranë ERE-s për të ulur çmimin e shitjes së energjisë nga KESH-i tek CEZ-i dhe se CEZ-i i ofroi një pagesë Ismailajt me kusht që ai t’ua kalonte ato para njerëzve të pushtetit pas tij.
Ky është edhe thelbi i kallëzimit tim, lidhur me aferën DIA-CEZ, të dorëzuar në prokurori, disa javë përpara se të njihesha me këtë video”, shkruan Romeo Kara.