Akuza nga Gjermania dhe Austria ndaj Ramës

Pak para Krishtlindjeve kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka marrë një dhuratë të pakëndshme nga shkencëtarë të njohur gjermanë dhe austriakë për mbrojtjen e ambientit. Ekspertët analizuan Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis të kryer nga qeveria shqiptare për hidrocentralin e planifikuar në fshatin Poçem në lumin Vjosa në Shqipëri. Në vlerësimin e qeverisë së Edi Ramës theksohet se projekti nuk e dëmton ambientin. Por, sipas shkencëtarëve gjermanë dhe austriakë, Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis është “një farsë”, sepse nuk i plotëson kriteret minimale dhe nuk mund të parashikojë fare pasojat që mund të ketë projekti i hidrocentralit për ambientin. Ekspertët gjermanë dhe austriakë i kanë shkruar kryeministrit të Shqipërisë në emër të organizatave për mbrojtjen e natyrës, “EuroNatur” dhe “Riverwatch”. Një qëndrim të ngjashëm ndaj projektit kanë mbajtur edhe ekspertët e ambientit nga Universiteti i Tiranës.
Shkencëtarët gjermanë dhe austriakë kanë kritikuar qeverinë se nuk ka bërë kurrfarë analizash për florën dhe faunën dhe speciet e rralla: “60 për qind e tekstit është kopjuar nga dokumentet e tjera dhe pjesërisht i referohet fushave krejtësisht të tjera”. Ekspertët theksojnë se nuk janë analizuar proceset hidrologjike, morfologjike dhe ekologjike, as nuk janë përshkruar pasojat e mundshme afatgjata të projektit.
Në letrën dërguar kryeministrit Edi Rama, ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjikurit dhe ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, shkencëtarët gjermanë dhe austriakë i bëjnë thirrje qeverisë shqiptare të hedhë poshtë Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis dhe të angazhohet për një studim serioz dhe të harmonizuar me standardet e BE-së.
Pasojat e digës që parashihet të ndërtohet në lumin Vjosa në asnjë mënyrë nuk mund të analizohen me këtë vlerësim të qeverisë shqiptare, thonë ekspertët në emër të organizatave “EuroNatur” dhe “Riverwatch”. “Efektet biologjike të digës janë trajtuar me 10 rreshta, pa përmendur asnjë lloj peshku. Ky tekst i grumbulluar nga copëzat e marra gjithandej nuk e meriton emrin Vlerësim i Ndikimit në Mjedis”, deklaroi Martin Pusch nga Instituti Leibnitz i Ujërave dhe Peshkëtarisë (IGB) në Berlin.
Gjuha e ekspertëve ndërkombëtarë është mjaft e ashpër. Analiza e qeverisë shqiptare për hidrocentralin e planifikuar në Vjosë konsiderohet kuturu, madje një karikaturë e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis. Sipas ekspertëve Vjosa është një lumë me rëndësi ndërkombëtare, andaj çdo ndërhyrje në të kërkon respektimin e standardeve më të larta ligjore. “Jemi përherë të gatshëm t’i përkrahim ministritë shqiptare në realizimin e një Vlerësimi serioz të Ndikimit në Ambient”, deklaroi profesori Friedrich Schiemer nga Universiteti i Vjenës.
Në një njoftim të “EuroNatur” dhe “Riverwatch” theksohet se Vjosa është lumi i fundit i madh dhe “i egër” në Europë – me përjashtim të Rusisë. Lumi rrjedh rreth 270 kilometra nga Greqia nëpër Shqipëri dhe derdhet në Adriatik. Qeveria e Edi Ramës po synon që në pjesën ekologjikisht më të çmuar të lumit të ndërtojë një hidrocentral. Tenderin për këtë projekt e kanë fituar dy kompani turke.

Më 2 nëntor Rama firmosi ndërtimin e HEC-eve

Ministria e Energjisë ka firmosur kontratën me kompaninë turke “Kovlu Energji” duke i dhënë të drejtën për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit. Ky vendim shkon në kundërshtim me kërkesat e banorëve të luginës së Vjosës, organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare, Bashkimit Evropian që kanë kërkuar një moratorium 3-vjeçar për sa i përket ndërtimit të HEC-eve në Vjosë.
“Dhënia me koncesion të HEC-it të Poçemit është kryer në mënyrë të fshehtë, jo transparente dhe në shkelje të legjislacionit shqiptar në fuqi, si dhe në shpërfillje të plotë të rekomandimeve të PE”, deklaron lëvizja “EkoAlbania”.
Fituesi i tenderit për këtë hidrocentral është shpallur konsorciumi “Çinar San” dhe “Ayen Enerji” në një njoftim të bërë publik nga Ministria e Energjisë, në maj 2016. Ndërkohë që kontrata koncesionare është lidhur me një tjetër kompani turke.
Kompania fituese ka paraqitur raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedis, pjesë e të cilit është dhe dëgjesa publike, e cila sipas dokumenteve zyrtare rezulton të jetë realizuar në shkurt të vitit 2015 në Fier.
Asnjë prej banorëve të prekur nga ndërtimi i këtij HEC-i apo njësitë e qeverisjes vendore nuk janë bërë pjesë e këtij procesi. “Unë si kryetar i bashkisë, nuk jam vënë në dijeni nëse është bërë një marrëveshje dhe nëse po me kë është bërë? Çfarë është parashikuar? Cilat do të jenë ndikimet dhe çfarë do të ndodhë me banorët?”, tha Përparim Shametaj, kryetari i Bashkisë Selenicë.
Sipas “EkoAlbania” një grup pune me ekspertë të huaj dhe kombëtar ka vlerësuar se ky raport është jo profesional, jo shkencor, etj.
Nga ana tjetër Vjosa ka edhe një vëmendje të veçantë ndërkombëtare pasi konsiderohet si një thesar i trashëgimisë natyrore evropiane. Në këtë mënyrë pas shumë debatesh dhe rekomandimesh nga PE, Komisioni Evropian është duke ndërmarrë hapat e nevojshëm për hartimin e një masterplani rajonal në lidhje me ndërtimin e HEC-eve, i cili pritet të finalizohet në verë të vitit që vjen në takimin e katërt konsultues që do të zhvillohet në Romë. “Ne së bashku me kolegët tanë ndërkombëtarë kemi më shumë se 4 vjet që lobojmë në institucionet e BE-së për të ndaluar këtë valë të pakontrolluar të ndërtimit të HEC-eve. Qeveria shqiptare duhet të shohë për alternativa të tjera të përftimit të energjisë duke ndalur përfundimisht këtë agresion të panevojshëm ndaj natyrës”, tha Olsi Nika nga “EcoAlbania”.
Nisur nga situata aktuale në vendet e Ballkanit gjatë takimit të fundit në Bruksel, OJQ-të mjedisore kanë nënshkruar një letër pozicionimi të drejtuar komisionerit Han mbi nevojën urgjente të përcaktimit të qartë “zona të ndaluara” për ndërtim HEC-esh.
Vjosa konsiderohet si lumi i fundit natyror i Evropës, çka përbën padyshim një prej këtyre zonave të ndaluara për ndërtim HEC-esh.

Si mashtroi Rama shqiptarët me ndërtimin e dy HEC-eve

Më datë 29 korrik 2015 Këshilli i Ministrave ka miratuar një bono prej 8 për qind të pikëve për kompaninë turke Çinar-San Hafriyat Nakliyat Insaat Turizm Sanayi Ve Ticaret Limited Sirketi, në procedurën e dhënies me koncesion të hidrocentralit Poçem në lumin Vjosë.
Vendimi që është botuar në Fletoren Zyrtare më datë 10 gusht i hap rrugën ndërtimit të një hidrocentrali të dytë pas Kalivaçit në lumin Vjosë, ndërtim i cili kundërshtohet me forcë nga organizatat mjedisore vendase dhe të huaja, si dhe nga Parlamenti Europian.
Vendimi i marrë nga qeveria në korrik gjithashtu bie ndesh me angazhimet që kishte marrë kryeministri Edi Rama një muaj më parë gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore, kur kishte premtuar se në Vjosë nuk do të ndërtoheshin më hidrocentrale dhe se lugina e saj do të kthehej në zonë të mbrojtur.
“Hidrocentrali i Poçemit, është një nga 8 HEC-et e planifikuara në Vjosë nga qeveritë e mëparshme, të cilin ne e kemi kundërshtuar që nga fillimi i fushatës sonë, si dhe gjatë turit të takimeve me komunitetin e luginës së Vjosës, megjithëse kontrata në fjalë ishte vetëm një plan”, u shpreh Besjana Guri, përfaqësuese e “Eco Albania”, një organizatë mjedisore që lobon për ruajtjen e ekosistemit në luginës së Vjosës.
“Tashmë që kjo konkretizohet në vendimin e qeverisë, në një kohë kur vetë kryeministri ka deklaruar se po punohet për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar, ne gjendemi përballë një situate shumë kontradiktore”, shtoi Guri.
Gjatë një mitingu në Tepelenë gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore më 13 qershor, kryeministri Edi Rama u shpreh që qeveria do t’i ndalonte planet për hidrocentrale në lumin Vjosë duke e orientuar ekonominë e zonës nga turizmi familjar duke e shpallur luginën park kombëtar.
“Do të transformojmë luginën e Vjosës në një park kombëtar që të frenohet barbarizimi nga hidrocentrale dhe të zhvillohet turizmi, ekonomia, bujqësia, të fuqizohet ekonomia familjare duke rritur numrin e vizitorëve në këtë park të madh të Vjosës”, tha Rama.
“Vjosa është një ndër lumenjtë më të bukur dhe me tiparet më interesante të Europës, është një pasuri e madhe europiane. Ne në bashkëpunim me organizata ndërkombëtare të interesuara do të realizojmë projektin e Vjosës në një Park Kombëtar”, ai shtoi.
I gjatë 270 kilometra, lumi i Vjosës konsiderohet si një nga lumenjtë e fundit të egër të Europës, duke rrjedhur në mënyrë të natyrshme dhe të pandikuar nga burimi i tij në Greqi në afërsi të fshatit Vouvoussa e deri në grykëderdhjen në detin Adriatik.

Exit mobile version