Akuza për korrupsion ndaj Berishës, Gjekmarkaj pozicionohet: SPAK ka gabuar!

Deputeti i PD, Agron Gjekmarkaj beson se ka një zgjidhje që opozita të kapërcejë ngërçin dyvjeçar dhe të bëhet gati për zgjedhjet 2025 si një forcë fituese. Ai ka propozuar krijimin e një federate, që bashkon çdo opozitar.

Po çfarë do të thotë kjo? “E imagjinoj si diçka që përfaqëson çdo valencë opozitare në Shqipëri, ku secili ruan identitetin e vet, numrat e vet, koherencën e ideve të veta. Ne edhe sot kemi qendrime të ndryshme për çështje të ndryshme. E shoh si bashkëjetesë në diversitet, si një gjë të madhe që mund të na përmblidhte të gjithëve. Pastaj, modalitetet, formulat, realizohen. Mjafton të ketë vullnet dhe realizohet.”- tha zoti Gjekmarkaj për emisionin “Pa Censurë”. Ai foli edhe për nevojën e daljes me një kandidat për kryeministër, si dhe për rolin e Sali Berishës.

PJESË NGA INTERVISTA NË EMISIONIN “PA CENSURË”

Pyetje: Kjo që po shohim në parlament është grupi parlamentar i Sali Berishës apo grupi parlamentar Gazment Bardhit?

Agron Gjekmarkaj: Në parlament është opozita, e votuar para dy vitesh. Ne nuk jemi aty për t’iu rikthyer historive të vjetra, por as për të mohuar koherencat dhe qendrimet që kemi patur. Ne jemi të bashkuar në frontin opozitar dhe zoti Bardhi po spikat këto kohë. E them me miqtë që, nëse zoti Basha do të kishte bërë çdo ditë këtë që zoti Bardhi po bën prej 2 muajsh, PD do të kishte qenë me kohë në pushtet. E shoh një politikan energjik, aktiv, siç ishte dhe Salianji në seancë, që vërtet mbajti një peshë të admirueshme. Këta janë politikanë që premtojnë dhe duhen ushqyer në gjeneratën e re të politikanëve që duhet të marrin në dorë PD.

Pyetje: Ju pyes për çështjen e lidershipit në grup, pasi ka një përceptim që grupi i deputetëve të drejtuar nga zoti Bardhi tani është asimiluar nga zoti Berisha dhe është ai lideri juaj.

Agron Gjekmarkaj: Jo, nuk ka asnjë asimilim. Ne jemi ulur në një tryezë të përbashkët në Kuvend, ku mblidhemi për të folur për të gjitha çështjet opozitare. Në disa tryeza të përbashkëta, kam hedhur idetë e mia për mënyrën sesi e shoh unë opozitën që do të përballet në 2025-ën dhe formulat që duhet të gjejmë për ta bërë atë konkuruese, fituese, federative, për një kandidat kryeministër që duhet të dalë me rregulla të qarta.

Exit mobile version