Nga Namir Lapardhaja
Në skenën politike shqiptare, një emër ka mbetur në qendër të çdo goditjeje, kritike dhe sulmi të organizuar: Lulzim Basha. Për më shumë se një dekadë, ai është sulmuar nga të gjithë drejtuesit kryesorë të politikës tranzicionale – nga Edi Rama te Ilir Meta, e më ashpër se të gjithë, nga Sali Berisha. Kjo treshe, e konsumuar dhe përgjegjëse për një pjesë të madhe të ngërçit politik dhe institucional në vend, ka gjetur te Basha një armik të përbashkët – ndoshta sepse përfaqëson pikërisht të kundërtën e asaj që ata ofrojnë.
Akuzat që Rama ka artikuluar ndaj Bashës ndër vite, janë ricikluar më pas nga Berisha, i cili dikur e ngriti dhe sot s’pushon së sulmuari. Njësoj ka vepruar edhe Ilir Meta, i cili ndonëse me një retorikë më të çuditshme, ka qëlluar po në të njëjtin drejtim. Mediat e kontrolluara prej tyre dhe një pjesë e mirë e opinionistëve që qarkullojnë nëpër studio, janë bërë megafonë të akuzave të vjetra, të njëjta, pa asnjë fakt të ri dhe pa asnjë analizë të drejtë.
Por ajo që është më domethënëse është se pavarësisht këtij fronti të gjerë sulmesh, Basha ka qëndruar. Më shumë se kaq: sot ai është i vetmi politikan që bën një diferencë të qartë me pjesën tjetër të klasës politike. Nuk është përfshirë në pazare, nuk është zhytur në përbaltje personale, nuk është marrë me sulme banale, dhe më e rëndësishmja – ka treguar pjekuri politike, duke falur e duke toleruar, edhe kur është goditur në mënyrën më të padrejtë.
Ai ka ndërtuar marrëdhënie të rëndësishme në Rajon dhe me partnerët ndërkombëtarë, duke forcuar profilin e tij si një lider euroatlantik. Nën drejtimin e tij, është krijuar Koalicioni Euroatlantik – një strukturë që synon të sjellë një frymë të re politike, të lidhur me Perëndimin dhe e shkëputur nga trashëgimia e tranzicionit.
Sot, Basha nuk është thjesht një emër në politikë. Ai është alternativa. Ai është udhëkryqi ku Shqipëria duhet të zgjedhë: të vijojë me të njëjtët emra të konsumuar dhe të zhytur në histori të errëta, apo të kthejë faqen dhe të zgjedhë një rrugë të re, të ndërtuar mbi vlera europiane, mbi program dhe mbi vizion.
Për këtë arsye, edhe pse i sulmuar, Basha mbetet i pashmangshëm. Dhe kjo është arsyeja pse e sulmojnë.