Akuzat e Ramës ndaj gjyqtarëve të GJKKO, reagon KLGJ: Përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama për SPAK dhe GJKKO, lidhur me çështjen ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj.

Përmes një deklarate, ky institucion thekson se çdo përpjekje për të cenuar pavarësinë e gjyqësorit, nëpërmjet trysnisë apo presionit të çfarëdo lloji, përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

KLGJ bën thirrje për shmangien e deklaratave që cenojnë gjyqtarëve dhe që i vënë ata nën presion dhe trysni.

“Këshilli i Lartë Gjyqësor ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit në lidhje me deklaratat e bëra nga persona të veshur me pushtet, ekzekutiv apo politik si edhe media të caktuara, të cilat prekin figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve pranë gjykatave të posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar. KLGJ mban qëndrimin se çdo përpjekje për të cenuar pavarësinë e gjyqësorit, nëpërmjet trysnisë apo presionit të çfarëdo lloji, përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Këshilli në përmbushje të angazhimeve të tij ligjore, ju bën thirrje të gjithë aktorëve që të shmangin trysninë në formën e deklaratave, citimeve apo aludimeve që cenojnë gjyqtarët për shkak të ushtrimit të funksionit.

Në një shtet të së drejtës, pavarësia e gjyqësorit është një ndër shtyllat themelore për garantimin e drejtësisë dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve. Gjyqtarët duhet të jenë të lirë nga çdo lloj forme që ndërhyn në vendimmarrje, në mënyrë që të ushtrojnë detyrën në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Këshilli thekson se në një shtet që është duke përmbushur kriteret e anëtarësimit në BE, mënyra e vetme e kundërshtimit të një vendimmarrjeje gjyqësore duhet të jetë përmes ushtrimit të mjeteve ligjore, duke u ankuar në një gjykatë më të lartë”.

Gjatë ditës së sotme, kryeministri Edi Rama ka bërë disa deklarata drejtuar institucioneve të drejtësisë dhe është ndalur në persona konkretë. Ai e cilësoi një burgosje pa gjyq arrestimin e Veliajt, teksa tha se gjykimi ndaj tij mund të vazhdonte në gjendje të lirë.

Në një tjetër deklaratë, ai u shpreh se “dy kamikazë të Partisë Demokratike” janë gjyqtarë në Gjykatën e Posaçme për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin.

Artikulli paraprakArrestohet djali i xhaxhait të deputetit të PS/ Elvis Ndreca doli në përgjimet e Sky Ecc, 28-vjeçari ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Revanshi”
Artikulli tjetër“Bandat shqiptare vetëm në një qytet nuk futen dot”/ Ekspertët britanikë: Pse s’deportojnë dot në Liverpool