Gazetarja shqiptare që jeton në Romë, Alba Kepi duke folur për SYRI TV në Edicionin e Pasdites me moderatoren Armela Ferko, ka dhënë detaje në lidhje me akuzat italiane ndaj Igli Tares.
‘Unë fola me gazetarin italian të emisionit ‘Report’ në RAI3. Ai jo vetëm ka marrë në analizë të gjithë këtë hetim të kryer nga prokuroria e Barit, por ka në dorë gjithë dosjen hetimore që do të transmetohet sot në RAI3.
Është në nivelin e një skandali. Nëse është ashtu siç thuhet, i bie që Igli Tare dhe vëllai i tij, të jenë pronarë të një kompanie bastesh, e cila ka qenë edhe sponsor i ekipit të Skëndërbeut.
Genti dhe Igli Tare nuk janë nën hetim nga Antimafia italiane, por gazetari italian më ka konfirmuar se kjo dosje është dorëzuar në prokurorinë sportive të Federatës Italiane të Futbollit.
Edhe Igli Tare ka reaguar në lidhje me këtë ngjarje, duke rrëzuar të gjitha akuzat, dhe është shprehur se as ai dhe as vëllai i tij nuk janë pronarë të një kompanie bastesh.
Bëhet fjalë edhe për blerjen e Muriqin, ku është përfshirë edhe një agjent futbolli, i cili nuk ka shumë lojtarë në portofolin e tij.
Është një skandal që ka tronditur botën e futbollit, pasi ka të bëjë me përfshirjen e tre mafiave të mëdha italiane dhe klubin e futbollit më të madh të Romës dhe drejtorin e një klubi sportiv, pasi nuk lejohet që një drejtor klubi të ketë një biznes bastesh’, është shprehur gazetarja Alba Kepi në lidhjen direkte nga Roma në SYRI TV.