Akuzat që sollën arrestimin e Erion Veliajt

Struktura e Posaçme Anti Korrupsion (SPAK) arrestoi mesditën e djeshme Kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj teksa kërkoi vendosjen nën masa sigurie të bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, dhe disa sipërmarrës.

Veliajt iu komunikua masa e arrestit teksa ishte në zyrë. Për ironi, faqja e tij Facebook, e shfaqte atë në një event Live! të inaugurimit të një kopshti në Yzberisht.

Por ndryshe nga sa shfaqej në Facebook, ai ishte në Bashki dhe u shoqërua që atje për në Drejtorinë e Policisë së Tiranës rreth orës 13:00 nga punonjësit e sigurisë dhe agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Ndërkohë, për bashkëshorten, Ajola Xoxa, u vendos masa e “arrestit në shtëpi”, por ekzekutimi i saj u shty pasi ajo ndodhej jashtë shtetit.

Veliaj akuzohet për korrupsion dhe pastrimi parash ndërsa Xoxa për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Kodi Penal parashikon dënime me burgim që variojnë nga 4 deri në 12 vjet për rastet e korrupsionit në detyrë publike.

Për pastrim parash apo fshehje pasurie dënimi mund të arrijë deri në 15 vjet në varësi të rrethanave.

SPAK dyshon se Veliaj dhe Xoxa janë të korruptuar. Sipas njoftimit për shtyp, hetimet e kryera nga prokurorët Ols Dado dhe Altin Dumani sugjerojnë përfshirjen e tyre në një skemë korruptive në të paktën 9 raste.

Ata dyshohet se kanë përfituar nga fondet publike përmes qarkullimit të parave prej tetë bizneseve dhe organizatave joqeveritare, duke gjeneruar rreth 1.1 milionë euro.

Autoritetet thanë se sekuestruan veshje, bizhuteri dhe blerje të tjera në vlerë rreth 870 mijë euro të kryera online gjatë katër viteve të fundit nga Xoxa.

Firma e Veliajt, si titullar, dyshohet të ketë qenë përcaktuese në skemë edhe për pastrimin e parave.

Hetimet, e nisura në vitin 2024 pas kallëzimit të Nesti Angonit, tregojnë se në skemë u përfshin së paku gjashtë sipërmarrës: Elman Abule (Rametal shpk), Gentian Sula (Agi Kons shpk), Meriman Palushi (Palushi shpk), Fatmir Bektashi (Kontakt shpk), Sokol Kryeziu (Gerard-A shpk) dhe Shkëlqim Fusha (Fusha shpk).

Ata dyshohet se përmes korrupsionit përfituan leje ndërtimi, apo tenderë nga Bashkia Tiranë dhe për këtë janë vënë nën masën e “detyrimit për t’u paraqitur pranë organeve gjyqësore”.

Në dhjetor 2024, Veliaj dëshmoi para agjentëve të BKH-së në lidhje me akuzat, ndërsa ndaj tij dhe familjarëve, përfshirë vëllain Arbi Veliaj, nisën hetime pasurore.

Më 6 dhjetor, SPAK i sekuestroi telefonin Xoxës dhe ushtroi kontrolle në studion e organizatës së saj jofitimprurës, “Harabel,” në ish-Bllok, ku u sekuestruan dokumente të ndryshme.

Kjo organizatë dyshohet se u kthye në hambar komisionesh korrupsioni për skemën klienteliste të Kryetarit të Bashkisë.

Hetimet janë në vazhdim dhe priten zhvillime të mëtejshme.

Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama anuloi takimet e planifikuara për ditën e hënë në Shkodër duke u kthyer në Tiranë.

Me shumë gjasa, nëse arrestimi dhe akuzat konfirmohen, Bashkia Tiranë do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Implikimet e shkuara të Velijat

Përveç çështjes aktuale Veliaj është përfolur vazhdimisht për afera apo çështje korruptive. Por kjo është e vetmja për të cilën ai do të japë llogari para drejtësisë.

Vitin e shkuar, kur SPAK arrestoi dhe vuri nën hetim pjesën kryesore të vartësve të tij në krye të drejtorive për atë që publikisht u njoh si “Çështja 5D,” trysnia publike për përgjegjësi apo dhe përfshirje u shtua ndjeshëm.

Çështja përfshinte disa drejtorë apo ish-drejtorë si Mariglen Qato, Redi Molla, apo Taulant Tusha, të cilët u akuzuan për abuzim me tenderë, korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Gjatë hetimeve, u zbulua se ata kishin përdorur si pronarë të fshehtë kompaninë “5D Konstruksion” për të përfituar 12 tenderë falë paracaktimit të garës duke devijuar të ardhurat drejt kompanisë së kontrolluar prej tyre.

Veliaj fillimisht pati mohuar akuzat e ekzistencës së një çështjeje të tillë para fushatës së zgjedhejve vendore të vitit 2023, por më vonë hoqi përgjegjësinë duke mohuar përfshirjen.

Tjetër çështje që e ka shoqëruar vazhdimisht Veliajn ka qenë çështja e njohur si “Inceneratori i Tiranës”, i ngarkaur me akuza të shumta për shpërdorime fondesh publike falë përfshirjes së disa zyrtarëve të lartë të qeverisë.

SPAK ka hetuar përfshirjen e disa personave në lidhje me këtë çështje, përfshirë edhe ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, i cili është akuzuar për përfitime të paligjshme nga ky projekt.

Edhe pse projekti është prezantuar si një iniciativë për modernizimin e sistemit të menaxhimit të mbetjeve dhe për përmirësimin e mjedisit, ai ka nxitur akuza për abuzime dhe keqpërodime të fondeve pasi zyrtarisht impianti nuk ka pasur kurrë një djegës të mbeturinave edhe pse për të vijohet të paguhet nga qytetarët e Tiranës.

Exit mobile version