Akuzohen për korrupsion, GJKKO shpall fajtor dy persona dhe i dënuan me nga dy vite burg (EMRAT)

GJKKO ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me nga dy vite burg shtetasit Kristi Zyka dhe Florian Disha, të akuzuar për korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.

 

Njoftimi: 

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të ҫështjes penale, që i përket procedimit penal nr. 8, të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurve Kristi Zyka dhe Florian Disha, të akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259/2 në lidhje me nenin 25 të Kodit Penal”.

Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Rudina Palloj, Flora Hajredinaj dhe Bib Ndreca, me vendimin Nr. 7, datë 23.01.2025 vendosi:

Deklarimin fajtor të të pandehurit Kristi Nefail Zyka për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer ne bashkëpunim, parashikuar nga neni 259 pg 2 në lidhje me nenin 25 të Kodit Penal dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim.

Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale të pandehurit Kristi Nefail Zyka i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vite burgim.

Llogaritja e dënimit fillon nga data e ekzekutimit të vendimit dhe dënimi me burgim nga i pandehuri Kristi Nefail Zyka do të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme, në referim të parashikimeve të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.

Bazuar në nenin 35 të Kodit Penal, të pandehurit Kristi Nefail Zyka i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë kohore prej 5 (pesë) vitesh.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Florian Eshref Disha për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer ne bashkëpunim, parashikuar nga neni 259 pg 2 në lidhje me nenin 25 të Kodit Penal dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim.

Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale të pandehurit Florian Eshref Disha i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vite burgim.

Llogaritja e dënimit fillon nga data e ekzekutimit të vendimit dhe dënimi me burgim nga i pandehuri Florian Eshref Disha do të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme, në referim të parashikimeve të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.

Bazuar në nenin 35 të Kodit Penal, të pandehurit Florian Eshref Disha i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë kohore prej 5 (pesë) vitesh.

Shpenzimet procedurale të bëra gjatë hetimeve paraprake dhe ato gjyqësore i ngarkohen të pandehurve solidarisht.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

Artikulli paraprakTrump paralajmëroi Rusinë për sanksione të reja nëse nuk arrihet marrëveshja për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, reagon Kremlini: Mbetemi të gatshëm për dialog
Artikulli tjetër109 vite nga vrasja e Isa Boletinit, heroit legjendar që lidhi jetën e tij me fatin e Shqipërisë