GJKKO ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me nga dy vite burg shtetasit Kristi Zyka dhe Florian Disha, të akuzuar për korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.
Njoftimi:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të ҫështjes penale, që i përket procedimit penal nr. 8, të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurve Kristi Zyka dhe Florian Disha, të akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259/2 në lidhje me nenin 25 të Kodit Penal”.
Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Rudina Palloj, Flora Hajredinaj dhe Bib Ndreca, me vendimin Nr. 7, datë 23.01.2025 vendosi:
Deklarimin fajtor të të pandehurit Kristi Nefail Zyka për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer ne bashkëpunim, parashikuar nga neni 259 pg 2 në lidhje me nenin 25 të Kodit Penal dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim.
Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale të pandehurit Kristi Nefail Zyka i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vite burgim.
Llogaritja e dënimit fillon nga data e ekzekutimit të vendimit dhe dënimi me burgim nga i pandehuri Kristi Nefail Zyka do të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme, në referim të parashikimeve të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.
Bazuar në nenin 35 të Kodit Penal, të pandehurit Kristi Nefail Zyka i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë kohore prej 5 (pesë) vitesh.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Florian Eshref Disha për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer ne bashkëpunim, parashikuar nga neni 259 pg 2 në lidhje me nenin 25 të Kodit Penal dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim.
Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale të pandehurit Florian Eshref Disha i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vite burgim.
Llogaritja e dënimit fillon nga data e ekzekutimit të vendimit dhe dënimi me burgim nga i pandehuri Florian Eshref Disha do të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme, në referim të parashikimeve të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.
Bazuar në nenin 35 të Kodit Penal, të pandehurit Florian Eshref Disha i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë kohore prej 5 (pesë) vitesh.
Shpenzimet procedurale të bëra gjatë hetimeve paraprake dhe ato gjyqësore i ngarkohen të pandehurve solidarisht.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.