Akuzohet se gënjeu për një skemë korrupsioni disa miliona dollarë me përfshirje të familjes së presidentit Joe Biden, nën arrest ish-informatori i FBI-së

Një ish-informator i FBI-së që pretendon se ka lidhje me shërbimet ruse të zbulimit dhe i cili akuzohet se gënjeu për një skemë korrupsioni prej disa miliona dollarësh me përfshirje të familjes së presidentit Joe Biden, u mor sërish nën arrest të enjten në Las Vegas, dy ditë pasi ishte liruar nga gjykatësi, njoftuan avokatët e tij.

 

Alexander Smirnov u arrestua gjatë një takimi të enjten në mëngjes në zyrat e avokatëve të tij në Las Vegas. Arrestimi ndodhi pasi prokurorët apeluan vendimin e gjykatësit që lejoi 43-vjeçarin Smirnov, me shtetësi të dyfishtë amerikane dhe izraelite, të lihej në gjendje të lirë me një paisje gjurmimi në trup, deri në zhvillimin e gjyqit. Ai akuzohet për deklarata të rreme dhe për krijimin e një prove fiktive.

Avokatët David Chesnoff dhe Richard Schonfeld u shprehën në një deklaratë se kanë kërkuar mbajtjen sa më shpejt të një seance dëgjimore për arrestimin e tij dhe se sërish do të kërkojnë lirimin e tij. Ata thanë se zoti Smirnov u arrestua bazuar mbi një urdhër të lëshuar në Kaliforni për të njëjtat akuza.

Çështja u çel ndaj zotit Smirnov fillimisht në Kaliforni, ku ai banonte më parë. Dokumentacioni i paraqitur në gjykatë nuk është hapur për publikun dhe nuk dihen detaje të mëtejshme për riarrestimin e tij.

Një zëdhënës i prokurorit të posaçëm David Weiss, i cili po heton zotin Smirnov, konfirmoi se zoti Smirnov është arrestuar sërish, por nuk dha komente të mëtejshme. Ai mbahet nën arrest nga shërbimi i marshallëve në Nevada, tha Gary Schofield, kryemarshall në Las Vegas.

Prokurorët thonë se zoti Smirnov gënjeu zyrtarët e FBI-së se drejtuesit e kompanisë ukrainase të energjisë, Burisma, i paguan presidentit Biden dhe Hunter Biden-it nga 5 milionë dollarë secilit në vitin 2015. Ky pretendim u bë epiqendra e hetimeve të ligjvënësve republikanë me qëllim shkarkimin e presidentit Biden.

Zoti Smirnov nuk është vetëdeklaruar ende i pafajshëm, por avokatët e tij thanë se klienti i tyre prezumohet i pafajshëm dhe se do ta mbrojnë atë në gjyq./VOA

Artikulli paraprak“Ceno Klosi, një kryetatimor offshore”- Emisioni “Vetting” publikon dokumentet: Pasuritë e padeklaruara në Londër! Transaksione masive nëpërmjet…
Artikulli tjetërLigji i ri “Për Lojrat e Fatit”, Pampuri: Një tjetër nismë korruptike e klienteliste e qeverisë