Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka lënë në qeli, Klajdi Merkajn, 35-vjeçarin i cili kërkoi lehtësim të masës së sigurisë.
Klajdi Merkja akuzohet se pastronte paratë e vëllezërve Franc e Hajdar Çopja. Ai u arrestua më 16 tetor në Romë, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për llogari të dosjes “Çopja”.
Njoftimi i GJKKO:
Kërkuesi Klajdi Merkaj me datë 10.01.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Zëvendësimi i masës së sigurimit”, baza ligjore neni 260 e në vijim të K.Pr.Penale.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Bib Ndreca, bazuar në nenet 228, 229, 230 dhe 238 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 46, datë 03.03.2025 vendosi:
Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit Klajdi Merkaj, vazhdimin e masës së sigurimit “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, dhënë sipas vendimit nr. 86, datë 29.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen kërkuesit.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve, nga e nesërmja e komunikimit të vendimit në Gjykatën e Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Si Klajdi Merkaj nisi pastrimin e parave të Franc Çopjas
Bisedat mes Klajdi Merkajt dhe Franc Çopjes përmes aplikacionit Sky ECC janë pjesë dosje voluminoze të SPAK për organizatën kriminale “Çopja”, e akuzuar për një seri vrasjesh me pagesë.
Por, si i pastronte Klajdi Merkaj paratë e vëllezërve Franc e Hajdar Çopja? Në një artikull, BIRN ka shpjeguar mekanizmin duke zbuluar se Klajdi Merkaj po kërkonte financime për të zgjeruar biznesin e ndërtimit në kryqytet dhe synonte që përmes kompanisë së tij të ndërtonte një kompleks vilash në zonën e Lundrës.
35-vjeçari po negocionte për blerjen e dy trojeve të kushtueshme në Tiranë dhe u drejtua për ndihmë Franc Çopjes për të siguruar shumën e madhe të parave që i duhej.