Alarm fals, Sadiku është “Ok”

Për fat të mirë rezulton një alarm fals. Fotoja e Armando Sadikut është një motiv çlirimi për gjithë tifozët e kombëtares. Bomberi kuqezi i momentit nuk do të mungojë në ndeshjet e radhës të ekipit kombëtar, kundër Lihtenshtejnit dhe Spanjës më 6 dhe 9 tetor. Pas dëmtimit që Sadiku pësoi këtë të enjte në ndeshjen me Servette në Challenge League të fituar 3-0 nga skuadra e tij gjatë një dueli me portierin kundërshtar, duke lënë fushën që në minutën e 15 të takimit, ekzistonin motivet për t’u trembur për një dëmtim afatgjatë, por ka qenë vetë Sadiku pasi ka kryer dhe vizita më të detajuara mjekësore ka shuar frikërat nëpërmjet një postimi në profilin e tij në rrjetet sociale, Instagram dhe më pas edhe në Facebook, ku shkruan:
“Nga loja (ndeshja) e mbrëmshme kundër Sfc Servett pësova një goditje në gjurin e majtë nga portieri kundërshtar. U detyrova të lë fushën në minutën e 15! Mbas përgjigjes së rezonancës magnetike, çdo gjë faleminderit Zotit është në rregull me gjurin tim. Mjekët mendojnë që pas 1 jave mund të jem përsëri i gatshëm 100% në fushë!!! Ndeshje të rëndësishme na presin me FC Zurich & nazional team ALBANIA”.
Fatmirësisht nuk bëhet fjalë për asgjë serioze dhe koha e rikuperimit për një javë është padyshim një lajm i mirë jo vetëm për vetë sulmuesin dhe karrierën e tij, por dhe De Biasin e tifozët e kombëtares që kanë gjetur te Sadiku njeriun gol që po shënon në vazhdimësi duke bërë fatin e kuqezinjve. Mbetet për t’u saktësuar ndërkohë gjendja e një tjetër lojtari të rëndësishëm për kombëtaren, Burim Kukelit, protagonist në të njëjtën sfidë, me mesfushorin që ju desh të linte fushën në minutën e 80 të takimit.

Artikulli paraprakVilmots: Festova me shampanjë kur më pushoi Belgjika
Artikulli tjetërArlind Ajeti i kthehet stërvitjeve në fushë