Alarm për Abrashin, dëmtohet në miqësore

Momente paniku në radhët e Frieburgut për Amir Abrashin. Në minutën e tetë të miqësores me Vaduzin, e fituar 3-1 nga skuadra gjermane, mesfushori shqiptar pësoi një ndërhyrje të rëndë të kundërshtarit në kavilje, çka e detyroi të linte fushën 18 minuta më pas. Në fakt mediat gjermane raportojnë se 26-vjeçari i kombëtares shqiptare provoi për thuajse 20 minuta t’u rezistonte dhembjeve, por më pas kërkoi të ndërrohet, pasi e kishte të pamundur ta vijonte lojën.
Abrashi mësohet se ka lënë grumbullimin e skuadrës në Spanjë, për t’u kthyer në Gjermani, ku do t’i nënshtrohet ekzaminimeve më të specializuara mjekësore, për të kuptuar shkallën e dëmtimit dhe kohën që i duhet mesfushorit për të qenë sërish i gatshëm për lojë.
Abrashi i njohur me nofkën “Pit Bulli” shquhet për grintën e tij në fushën e blertë, por gjatë pjesës së parë të sezonit ka qenë i pafat, teksa është detyruar të humbasë katër ndeshje të Bundesligës pas një dëmtimi të pësuar në kokë.
Frieburgu ka patur një ecuri të mirë gjatë fazës së parë, teksa ka grumbulluar 23 pikë në 16 ndeshje, ndërsa 2017-ën e nis me një sfidë shumë të vështirë me Bayernin e Mynihut. Mbetet për t’u parë nëse Abrashi do të mund të rikuperohet për sfidën me bavarezët, që do të zhvillohet më 20 janar.

Exit mobile version