Alarm për sulme kibernetike në Evropë: Suedia, Norvegjia dhe Holanda kthehen te paratë e gatshme

Banka Qendrore e Holandës i ka bërë thirrje qytetarëve të mbajnë një shumë të mjaftueshme parash në shtëpi, për të mbuluar nevojat e tyre të përditshme për të paktën tre ditë, në rast urgjence.

 

Edhe pse mund të duket si një zakon i vjetër në epokën e Inteligjencës Artificiale, ky udhëzim është mjaft urgjent dhe serioz, pasi banka thekson se një sulm kibernetik i rëndë ose një shembje teknike e sistemeve të pagesave mund të lërë qytetarët pa mundësinë e blerjes së asaj që është absolutisht e nevojshme.

Sa e mundshme është një situatë e tillë, mund të kuptohet edhe nga fakti se Banka rekomandon që çdo shtëpi të mbajë nën dyshek, 70 euro për çdo të rritur dhe 30 euro për çdo fëmijë, në formën fizike të parave, që familja të mund të mbulojë nevojat për ujë, ushqim, medikamente dhe transport për tre ditë.

Është e rëndësishme të theksohet se kjo shumë është konsideruar si minimumi i nevojshëm për mbulimin e shpenzimeve themelore në kushte emergjente dhe vjen pas udhëzimeve evropiane për sigurinë ushqimore për 72 orë.

Shkaku i përgatitjes është rreziku i shtuar nga sulmet kibernetike, pasi tensionet gjeopolitike rrisin mundësinë e sulmeve të drejtuara ndaj infrastrukturave kritike, përfshirë sistemet bankare dhe ato të pagesave elektronike.

Për këtë arsye, Banka e Holandës solli si shembuj edhe ndërprerjen e fundit të energjisë në Spanjë dhe Portugali, e cila shkaktoi probleme të mëdha, por fatmirësisht të shkurtra, me pagesat elektronike.

Po ashtu, u rekomandua edhe për tregtarët që të sigurojnë mundësi alternative pagese, si për shembull, kodet QR, që të mund të shërbejnë klientët edhe në rast se sistemet e kasave dalin jashtë funksioni.

Nuk ka kaluar shumë kohë që Ministria e Mbrojtjes e Suedisë, në mars të kaluar, dërgoi në çdo shtëpi një broshurë me titull “Nëse ndodh kriza ose lufta”, duke këshilluar njerëzit që të përdorin rregullisht para dhe të mbajnë të paktën një javë me vlera të ndryshme nominale, raporton “The Guardian”.

Sipas raportit, Banka Qendrore e Suedisë thekson se duhen marrë masa për të përforcuar gatishmërinë që të gjithë të mund të paguajnë, edhe në rast krize apo lufte. Ajo gjithashtu nënvizon se, për shumë vite, prioritet ka qenë efektiviteti i pagesave, por tani siguria dhe qasja janë po aq të rëndësishme.

Prej një viti, gjithashtu edhe Norvegjia ka miratuar një ligj që i detyron shitësit të pranojnë para, dhe nëse nuk e bëjnë, mund të ndëshkohen me gjoba ose sanksione. Po ashtu, qeveria ka këshilluar qytetarët që të mbajnë disa para në dispozicion në rast të sulmeve kibernetike.

Exit mobile version