Banka Botërore pret që rimëkëmbja e Ballkanit Perëndimor të jetë e ngadaltë dhe e pasigurt. Banka ka publikuar sot Raportin e Rregullt Ekonomik nr. 18 për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Raporti i titulluar “Rimëkembje e pasigurt” fokusohet në përgjigjen e vendeve të rajonit ndaj COVID-19 dhe shqyrton konsekuencat makroekonomike dhe fiskale të pandemisë në të 6 vendet e rajonit, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria. Pandemia e ka futur rajonin në një recesion të thellë, duke sjellë norma negative rritjeje në të gjashtë vendet për vitin 2020.
Sipas Raportit, rritja ekonomike e rajonit parashikohet të jetë – 4.8 përqind në vitin 2020, 1.7 pikë përqindje më e ulët se parashikimi i bërë në muajin prill. Vala e dytë dhe më e fortë e pandemisë që nga mesi i qershorit ka penguar më tej rimëkëmbjen ekonomike të rajonit. Kufizimet e udhëtimit dhe masat e distancimit social kanë dobësuar gjithashtu rritjen ekonomike të vendeve me varësi më të lartë nga turizmi.
Persa i takon ekonomisë së Shqipërisë, raporti ve ne dukje se për vitin 2020 rritja pritet të kontraktohet me 8.4%. Reagimi i autoriteteve ishte i shpejte ne marrjen e masave kundër krizës, p.sh., linjave të garantimit të kredisë për bizneset dhe rritjes së transfertave sociale për individët.
Pozita fiskale e Shqipërisë për vitin 2020 pritet të përkeqësohet me rritjen e parashikuar të deficitit në 8.5 përqind të PBB-së.
Rënia e aktivitetit ekonomik pritet të ulë raportin e të ardhurave tatimore ndaj PBB-së nga 25.7 përqind e PBB-së në 2019 në 24.1 përqind.
Të dy këta faktorë së bashku, të ardhurat e ulëta dhe deficiti i lartë fiskal, pritet ta rrisin borxhin publik të Shqipërisë në 81.4 përqind të PBB-së, thekson raporti.
Me ngadalësimin e përhapjes së pandemisë, pritet që në 2021 të ketë një rimëkëmbje graduale të ekonomisë prej 5% për shkak të rifillimit të procesit të rindërtimit nga pasojat e tërmetit dhe rimëkëmbjes së ekonomisë globale. Për të përshpejtuar rimëkëmbjen ekonomike duhet që politikat mbështetëse të balancojnë zbutjen e ndikimit nga pandemia dhe forcimin e qëndrueshmërisë fiskale.