Alarmi i OBSH: Në Shqipëri shtresat më të varfra rrezikojnë të bien nën minimumin jetik

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se familjet e varfra në Shqipëri, të cilat janë të pasiguruara, përballen me pengesa financiare për të marrë shërbim në spitale duke përjetuar shpenzime katastrofike, të cilat mund të rrezikojnë të lënë të pambuluara nevojat bazë të jetesës.

Sipas analizës më të fundit të OBSH, rreth 12% e familjeve përjetojnë shpenzime të mëdha, ndërsa rreth 8% e tyre janë futur në varfëri ose do varfërohen më tej pasi paguajnë nga xhepi për të marrë shërbim shëndetësor.

Rreth një e treta e popullsisë që është e pasiguruar detyrohet të paguajë pothuajse çdo shërbim shëndetësor nga buxheti i vet. Sipas OBSH-së mungesa e të ardhurave është arsyeja pse shumë familje kanë nevoja të paplotësuara për shëndetin dhe kujdesin dentar.

Masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare konsiderohen të mirëpritura, por OBSH vlerëson se ato nuk adresojnë të gjitha boshllëqet në këtë sektor.

“Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë hapa për të përmirësuar aksesin në kujdesin parësor për njerëzit e pasiguruar duke u ofruar atyre check-upe falas në 2015 dhe vizita falas te mjekët e përgjithshmë në 2017. Këto masa janë të mirëseardhura por nuk adresojnë boshllëqe të tjera të rëndësishme në mbulim.”

Në periudhën e marrë në analizë rezulton se pagesat nga xhepi për ilaçe u rritën nga 53% në 76%.

Lidhur me këtë fenomen, OBSH kërkon marrjen e masave për të zvogëluar nevojat e paplotësuara dhe t’u jepet përparë njerëzve në varfëri.

Sipas organizatës, fondi i sigurimit të detyrueshëm shëndetësor duhet të mbulojë automatikisht të gjithë, dhe jo vetëm ata që paguajnë kontribute.

Të tjera masa janë: përjashtimi nga pagesat i personave me pak të ardhura dhe ata me sëmundje gjendje kronike dhe rritja e investimeve publike në sistemin shëndetësor në mënyrë që Shqipëria të mos jetë ndër vendet që alokon fondet më të ulëta për këtë sektor. /OraNews

Artikulli paraprakTrajtimi në kushte shtëpie për Covid-19, Ylli Merja prezanton për herë të parë sekretin e “ilaçit me pika”
Artikulli tjetërKoncesionet e reja prapa ligjit për metrologjinë, një bravo për Metën