Alarmi i psikologut: Sot, fëmijët dalin në natyrë më pak se të burgosurit

Psikologu Gëzim Tushi ka ngritur shqetësimin për kontaktin e kufizuar që kanë sot fëmijët me natyrën.

I ftuar në “Aldo Morning Show”, Tushi u shpreh se fëmijët e sotshëm dalin në natyrë më pak se të burgosurit, çka e bën këtë një pengesë në zhvillimin e tyre.

“Një fëmijë që të zhvillohet në mënyrë integrale ka nevojë që të zhvillohet mendërisht, fizikisht, emocionalisht, pra janë disa komponent. Nuk është vetëm një komponent, të mësosh gjuhët e huaja apo të mësosh shkenca të caktuara për të qenë konkurrues. Kjo ka bërë që të reduktohen dy gjëra të rëndësishme: koha e lirë e fëmijëve që është reduktuar në minimum… Unë po ju them, është një filozof, një sociolog shumë i shquar, dhe ai thotë: “Fëmijët e sotshëm dalin në ajrim, në natyrë, më pak se të burgosurit”. Është e tmerrshme! Të burgosurit, thotë ai, marrin kontakt me ajrin dhe me natyrën më shumë. Sepse ne fëmijët i çojmë në shkollë, janë të mbyllur në aulat e mësimit, i çojmë andej i marrim në shtëpi, hamë drekë, i çojmë në kurs, nga kursi në kurs, në shtëpi, në gjumë, në krevat. Ky cikël i mbyllur i tyre i pengon ata me zhvillimin. Prindi duhet të kuptojë një gjë, gjëja më e rëndësishme për fëmijët është loja! Loja është kontakti me natyrën dhe kontakti me natyrën zhvillon tek fëmija shumë gjëra”, tha Tushi.

Exit mobile version