Muaji shkurt i këtij viti mund të jetë më i nxehti i regjistruar ndonjëherë në histori, me lulet që kanë lulëzuar më herët në vende nga Meksika në Japoni, shpatet e maleve në Europë që nuk janë më të mbuluara nga bora dhe temperaturat që kanë shkuar deri në 38 gradë Celsius në Teksas.
Sipas 3 shkencetarëve, temperatura mesatare globale në shkurt 2024 pritet të jetë më e ngrohta e regjistruar ndonjëherë për këtë muaj për shkak të ndryshimeve klimatike dhe fenomenit El Nino.
Nëse të dhënat konfirmohen, shkurti do të jetë muaji i nëntë radhazi në të cilin është thyer rekordi global i temperaturës së lartë, sipas të dhënave nga Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike e SHBA-së (NOAA).
NOAA do të publikojë të dhënat e saj përfundimtare për muajin shkurt rreth datës 14 mars.
Në hemisferën veriore, temperaturat e larta rekord nënkuptojnë se “pranvera po vjen më herët “, shpjegoi javën e kaluar shkencëtarja e NOAA Karin Gleason.
Nxehtësia e shkaktuar nga ngrohja globale po prish ekosistemet, duke kontribuar në shkrirjen e akullnajave, duke ngritur nivelin e detit dhe duke shkaktuar ngjarje ekstreme të motit.
Valët e të nxehtit goditën Argjentinën, Perunë, Brazilin dhe Kilin në shkurt, ndërsa temperaturat e larta kontribuan në përhapjen e zjarreve në Santiago që vranë të paktën 133 njerëz.