Alastair Campbell dhe verifikimi minimal i fakteve

Nga Namir Lapardhaja

Alastair Campbell, ish-këshilltar i kryeministrit britanik, Tony Blair, në episodin e fundit të podcast-it “The Rest ist Politics” ka folur, veç të tjerash, edhe për arrestimin e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, duke e cilësuar atë si një vendim të padrejtë dhe pa një akuzë zyrtare. Campbell e quan arrestimin dhe mbajten në burg të Veliajt si diçka skandaloze, duke akuzuar SPAK se nuk ka një akuzë konkrete të bërë publike.

Është për të ardhur keq që një figurë me përvojë të gjatë në komunikimin politik si Alastair Campbell zgjedh të bëjë një deklaratë publike mbi një çështje penale në një vend tjetër, pa bërë një verifikim minimal të fakteve. E gjitha deklarata e tij është e bazuar jo në të dhëna zyrtare, por në korrespondencën personale që ai pohon se ka me të akuzuarin – gjë që është një burim i njëanshëm dhe thelbësisht i pabesueshëm për të ndërtuar një qëndrim publik kaq të rëndë. Më e pakta që pritej nga dikush me profilin e Campbell-it është profesionalizëm dhe fakt-checking.

Campbell ose është keqinformuar, ose ka zgjedhur të injorojë faktin që SPAK ka bërë publik njoftimin zyrtar për akuzat penale të ngritura ndaj Erion Veliajt në datën 10.02.2025, ku thuhet shprehimisht se:

“Pas kryerjes së veprimeve hetimore, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme më datë 24.01.2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr. 7 Akti/datë 09.02.2025 ka vendosur:

Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për shtetasin nën hetim E. V., me detyrë, Kryetar i Bashkisë Tiranë, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 260 e 25 dhe 287/2 i Kodit Penal…”

(linku https://spak.gov.al/njoftim-per-shtyp-date-10-02-2025/).

Këto janë akuza të rënda penale, të mbështetura sipas SPAK në prova dhe hetim disa mujor, për të cilat është kërkuar masa e sigurimit arrest me burg, një masë që është miratuar nga gjykata, e cila vlerësoi se ekzistonin kushtet ligjore për këtë masë.

Pyetja legjitime që ngrihet është: A do të mbante Alastair Campbell të njëjtin qëndrim nëse Prokuroria e Kurorës në Mbretërinë e Bashkuar do të kërkonte arrestimin e një kryebashkiaku të Londrës apo të një qyteti tjetër të rëndësishëm britanik, për akuza të natyrës së korrupsionit të nivelit të lartë dhe pastrimit të parave, që parashikojnë ne total mbi 25 vite burgim?

Nëse përgjigjja është jo – dhe me gjasë është – atëherë komenti i tij për Shqipërinë nuk është gjë tjetër veçse standard i dyfishtë dhe ndërhyrje e papërshtatshme në një proces penal të një shteti tjetër sovran.

SPAK nuk është një organ i Edi Ramës, por është një institucion kushtetues i pavarur, i ngritur me mbështetje të fuqishme ndërkombëtare – përfshirë nga Mbretëria e Bashkuar – për të luftuar pandëshkueshmërinë në nivelet më të larta të pushtetit. Të vesh në dyshim legjitimitetin e veprimeve të tij pa verifikuar faktet do të thotë të minosh besimin në drejtësinë që vetë partnerët ndërkombëtarë e kanë ndihmuar të ndërtohet.

Në fund, drejtësia nuk mund të bëhet as nëpërmjet podcasteve dhe as mbi bazën e letrave “të trishtueshme” – ajo bazohet në prova, ligj dhe vendime gjyqësore, që askush, përfshirë edhe zotërinë në fjalë, nuk ka të drejtë t’i relativizojë.

Artikulli paraprak159 vota
Artikulli tjetërSPAK sekuestron një pronë të Erion Veliajt dhe Ajola Xoxës në zonën e ‘Kodrës së Diellit’