Alban Meha transferohet tek “Al Nasr”

Ndaj Beshiktashit, Alban Meha luajti ndeshjen e tij të fundit me fanellën e Konyaspor-it, sepse menjëherë më pas mediat turke zyrtarizuan kalimin e mesfushorit shqiptar te klubi nga Arabia Saudite Al Nasr. Edhe pse i ishte rinovuar automatikisht kontrata edhe për një tjetër sezon me skuadrën e Superligës turke, Meha zgjodhi të largohej nga qyteti i Konyas, pasi u bind nga oferta shumë më e mirë në aspektin financiar që i propozoi klubi nga Riyadi. Në vetëm një sezon, Meha arriti të fitonte zemrat e tifozëve të Konyasporit dhe kjo u dallua qartë në fitoren 2-1 ndaj kampionëve të saposhpallur të Beshiktashit. Në minutën 61 të sfidës së vlefshme për javën e fundit të kampionatit turk, 30-vjeçari shqipëtar la fushën e lojës dhe në këtë moment të gjitha duartrokitjet ishin për Alban Mehën, i cili u përshëndet në mënyrën më të mirë nga tifozët e Konyasporit, shokët e skuadrës dhe stafi teknik, për atë çfarë dha me këtë ekip.
Mediat turke zbuluan gjithashtu se ish-lojtari i Paderbornit në Bundesligën gjermane e ka hedhur tashmë firmën mbi kontratë për klubin nga Arabia Saudite. Kartoni i Mehës mësohet i ka kushtuar drejtuesve të Al Nasr rreth 1 milion euro, ndërkohë që futbollisti shqiptar nga marrëveshja e re që ka firmosur do të përfitojë një shumë tre herë më të lartë se ajo që merrte te Konyaspori, mbi 1 milionë euro në sezon. Me Konyasporin, Alban Meha shënoi 4 gola në kampionat, ndërkohë që numëron edhe 5 asist, duke e ndihmuar ekipi nga Konya të siguronte kualifikimin në fazën e grupeve të Europa League, ndërsa arriti të realizonte në një rast edhe në Kupën e Turqisë.

Exit mobile version