Albi Dokën e duan në Zvicër, Kroaci e Belgjikë

Lugano dhe Grasshopper në Zvicër, interes konkret për mbrojtësin e djathtë të Tiranës. Në finalen e kupës, 19-vjeçari u vëzhgua nga kroatët e Hajdukut dhe belgët e Gent. Ofertë 350 mijë euro për talentin e Tiranës, Albi Doka. Shpërthimi i talentit 19-vjeçar të bardhebluve nuk ra në sy vetëm në Shqipëri, por ka bërë bujë edhe jashtë kufijve. Kualiteti dhe garancia që ka dhënë në fushë në gjysmën e dytë të sezonit u shoqëruan me interesin e disa klubeve europiane për mbrojtësin e djathtë, ndërsa te Tirana ka ardhur edhe oferta e parë konkrete.
Nga Superliga zvicerane, Albi Doka kërkohet nga Lugano e ish-zv.trajnerit kuqezi, Paolo Trammezzani dhe sulmuesit Armando Sadiku, ndërsa në gjurmët e lojtarit është edhe Grasshopper. Gjithashtu, në finalen e Kupës së Shqipërisë, ku Tirana fitoi 3-1 në kohën shtesë ndaj Skënderbeut, mbrojtësi u vëzhgua nga zbuluesit e talenteve të kroatëve të Hajdukut të Splitit dhe belgëve të Gent.
Në këtë sezon, Doka debutoi në çerekfinalet e Kupës ndaj Kukësit, të luajtur më 1 shkurt, duke regjistruar 4 ndeshje në këtë aktivitet. Aq mjaftoi që ai të kthehej në titullar fiks te skuadra e Josës, duke u aktivizuar edhe në 17 ndeshje të kampionatit. Oferta prej 350 mijë eurosh për kartonin e Dokës për momentin është lënë në “stand by” nga bardheblutë. Lojtari është shprehur se dëshiron të vijojë të luajë për ekipin edhe në Kategorinë e Parë, por shifra është e rëndësishme për buxhetin e klubeve shqiptare. Gjithsesi, më parë duhet përcaktuar projekti dhe rruga që do të ndiqen për të rikthyer Tiranën te lavdia.
Në një edicion që u mbyll me triumfin në Kupën e Shqipërisë dhe një biletë në Europa League, por solli zhgënjimin më të madh në histori, me skuadrën që për herë të parë ra nga kategoria, Albi Doka ishte padyshim një prej elementëve më pozitivë te bardheblutë.

Artikulli paraprakStrakosha titullar te Lazio
Artikulli tjetërBarcelona bën blerjen e parë