Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit është ndërhyrje në sovranitet dhe demokraci të vendit.
Në konferencën për medie bashkë me ministrin në largim për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, Kurti ka thënë se vetë Rashiçi “është kërcënuar vazhdimisht nga Milan Radoiçiçi dhe njerëzit e tij me anë të mesazheve”.
“Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet tona parlamentare është ndërhyrje në sovranitetin dhe demokracisë sonë”, ka thënë Kurti.
Kurti ka shtuar se Serbia është angazhuar sidomos për ta dëmtuar subjektin politik të udhëhequr nga Nenad Rashiç, si dhe nga Aleksandar Arsenijeviç.
Ai ka thënë se joshja financiare është bërë me anë të ndarjes së 20 mijë dinarëve për të gjithë të papunët.
Sipas Kurtit, presidenti serb Aleksandar Vuçiç, e ka autorizuar kryeterroristin Milan Radoiçiç, për ta zbatuar planin për ndërhyrje në Kosovë.
“Presidenti i Serbisë e ka autorizuar kryeterroristin Radoiçiç për ta zbatuar planin për ndërhyrje në Kosovë. Janë kërcënuar përmes Ivan Zaporozhac që do të kenë pasoja nëse nuk e votojnë Listën Serbe”, ka thënë ai.