Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha të mërkurën se është prekur nga koronavirusi.
Ish kryeministri Kurti e bëri njoftimin përmes një postimi në llogarinë e tij në facebook.
“Parmbrëmë kisha disa simptoma: kokëdhembje të lehtë, pak koll dhe dhembje e skuqje të syve. Dje jam testuar për COVID-19 dhe kam rezultuar pozitiv. Në dy javët në vijim do të qëndroj në vetizolim”, shkroi ai.
Të martën, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha se janë konfirmuar 197 raste të reja të të prekurve nga koronavirusi, ndërsa tre veta humbën jetën.
Deri të martën në Kosovë janë konfirmuar 18 mijë e 345 të infektuar, ndërsa numri i viktimave të COVID-19 ka arritur në 669.
Aktualisht sipas autoriteteve 2 mijë e 478 raste vazhdojnë të jenë aktive.