Albin Kurti, drejtuesi i Lëvizjes Vetëvendosja që doli partia e parë në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, ka lëshuar kritika të ashpra ndaj bashkëpunëtorëve të kryeministrit Edi Rama.
Kurti, duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve, e quajti Baton Haxhiun, këshilltarin e kryeministrit Rama, “njeriun më të urryer në Kosovë, që punon për serbët”. Ndërsa për Gent Cakajn, të ngarkuarin me punë në krye të ministrisë së Jashtme, tha se “shpërtheu si rrena”.
“Nuk mendoj që kryeministri i Shqipërisë është pro ndarjes së Kosovës, por mendoj që ai ka zgjedhur për miq e bashkëpunëtorë në Kosovë njerëz të papërshtatshëm të cilët përfitojnë për vete dhe nuk kane në fokus as interesin kombëtar dhe as shtetin e Kosovës. Baton Haxhiu, është një nder njerëzit me të urryer në Kosovë, për shkak të lidhjeve të tij me shefin e shërbimit sekret shtetëror serb, i cili i ka formuar edhe tigrat e Arkanit dhe skorpjonët edhe dritat e kuqe, tri formacione famëkeqe që kanë bere masakra në Kroaci, Bosnje dhe në Kosovë dhe ky person të ketë kaq shumë ndikim, nuk ka shpjegim ndryshe, përveçse vazhdon shteti i Serbisë të qëndrojë pas tij”, deklaroi Kurti për gazetarët.
“Gent Cakaj shpërtheu si rrena. Besoj se edhe në Republikën e Kosovës edhe në Shqipëri ka panumër njerëz cilësor, më të përgatitur, më të ditur, më patriotë, që të jenë në krye te politikës së jashtme”, shtoi.