Raportet ndërmjet kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, vazhdojnë të mbeten të ftohura.
Për një gjë të tillë nëpër intervistat e fundit pas fitores në zgjedhjet e 6 tetorit, ka folur vetë Kurti, duke treguar se raportet më Ramën kanë ndryshuar për të keq, derisa ky i fundit i ka qëndruar në krah presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, në idenë për shkëmbimin e territoreve dhe korrigjimin e kufijve.
Një gjë e tillë për raporte jo të mira Rama-Kurti konfirmohet edhe në njoftimin e fundit të kreut të Vetëvendosjes, i cili ka publikuar në profilin e tij letrat që ka marrë nga liderët e rajonit pas fitores në zgjedhjet e 6 tetorit.
E ka uruar kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç, gjithashtu edhe një urim i ka ardhur nga kryeministri i Bosnje e Hercegovinës dhe nga kreu i Kuvendit të Shqipërisë, por jo nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Megjithatë kreu i VV’së i cili pritet që të jetë kryeministër i Kosovës në intervistat e tij të para pak ditëve, ka thënë se ky raport i tij me Edi Ramën, nuk do të afektojë në raportet shtetërore midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës./GazetaExpress/