Albpetrol vë sekuestron për 25 prona dhe objekte të ARMO

Në nisje të punës, kreditorët kanë vërshuar me sekuestro mbi pasuritë e Ndërmarjes së Përpunimit të Naftës, ARMO. Kompania shtetërore Albpetrol kërkoi dy ditë më parë sekuestro konservative në 24 pasuri të paluajtshme në bazë të një vendimi të formës së prerë që Gjykata e Tiranës dha në korrik të këtij viti duke marrë të drejtën për borxhet 2 miliardë lekë, kamatëvonesa dhe interesa.  Ky është gjyqi i dytë që fiton Albpetrol, pas atij të marsit, ku prodhuesi shtetëror fitoi të drejtën për të mbledhur 3.6 miliardë lekë detyrime. Por, ndërsa gjyqi i parë është apeluar dhe çështja është aktualisht në instancën e lartë, i dyti nuk është apeluar, duke i dhënë mundësinë Albpetrol të kërkojë mbledhjen e  shumës përmës përmbarimit.
Kërkesa për sekuestro po bëhet për të zënë radhën e shlyerjes tani që rafineria ka nisur punën dhe mund të ketë aftësi paguese. Ajsbergu i borxheve që ndërmarrja e përpunimit të naftës ARMO ka ndaj kreditorëve së fundmi duket është shndërruar në një mollë sherri se kush duhet të përfitojë i pari  nga detyrimet, në rast të shitjes së plotë apo të pjesshme të kompanisë. Mirëpo neni 605 i Kodit të Procedurës Civile përcakton që detyrimet ndaj shtetit kanë përparësi ndaj detyrimeve ndaj bankave. Kështu nëse do të ketë shitje të aseteve, të ardhurat do të shkojnë për shlyerjen e borxhit të tatimor që sipas të dhënave nga tatimet aktualisht është 23 miliardë lekë.
Pas tatimeve në radhë për shlyerje janë detyrimet  ndaj Albpetrol, i cili është 100% në pronësi të shtetit. Kështu sipas ligjit, çdo e ardhur që sigurohet nga përmbaruesit privatë për llogari të bankës në fakt shkon për shlyerjen e detyrimeve të punonjësve dhe detyrimeve tatimore. Edhe bankat e kanë filluar procesin për shitjen në ankand, por tani i gjithë procesi vihet në dyshim, për shkak të përparësisë së shtetit në radhë për të vjelur detyrimet.  Muajin e kaluar Ionian Refining and Trading CO mori në përdorim ARMO-n. Kontraktorët e rinj janë zgjedhur nga bankat, të cilat nuk ishin në gjendje të mirëmbanin dhe ruanin rafinerinë për shkak të kostove të larta. Duke e lënë në përdorim ndaj një kontraktori, bankat shpresojnë se nga rinisja e prodhimit të përfitojnë edhe shuma e pakthyera të detyrimeve që kompania ka trashëguar që nga privatizimi i saj.
Teksa shoqëria e përpunimit të thellë të naftës, ARMO po kalon në përdorim nga një biznes tek tjetri, gjendja e shoqërisë është përkeqësuar shumë. Në një analizë të fundit që ka bërë një grup pune pranë Ministrisë së Industrisë dhe Financave tregon se praktikisht ARMO ka falimentuar. Analiza e qeverisë tregon se kompania në  6-mujorin e parë të 2015 ka akumuluar humbje 8.6 miliardë lekë.  Humbjet kanë shënuar 1518 lekë ndaj kapitalit. Shpenzimet operative të kompanisë ishin 152 lekë për 100 lekë shitje, ndërsa për çdo 100 lekë shitje  rezultojnë 292 lekë humbje.
Për çdo 100 lekë aktive janë gjeneruar 17 lekë humbje, çka e bën të pamundur rimarrjen e investimit, thuhet në analizën e qeverisë.  Detyrimet janë 7.6 herë më të lartë se kapitali, duke arritur në mesin e vitit 2015 borxhet e ARMO-s arritën në 50.9 miliardë lekë. Që pas privatizimit të saj në vitin 2008, kompania ka kaluar peripeci në menaxhimin  duke akumuluar një mal me borxhe.

Artikulli paraprakViktima tjetër që fshihet në landfillin e vdekjes
Artikulli tjetërBE reagon për censurën e Ramës dhe Veliajt ndaj mediave për vrasjen e 17-vjeçarit