Aleanca e qelbësirave thelloi krizën me Metën

Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar për herë të parë pas votimit të mazhorancës në Parlament, që zgjodhën Ilir Metën si President të Republikës së Shqipërisë. Në një status në Facebook, Berisha shkruan se, veprimi i djeshëm i “Aleanca e Qelbësirave”, thelloi më shumë krizën politike.
“Një akt i ri për thellimin krizës! Dje, Parlamenti i “Aleancës së Qelbësirave” apo i Narko-Republikës, votoi, me urdhër të Noriegës, Ilir Metën, kryetarin e Parlamentit dhe kryetarin e LSI si President të ardhshëm të vendit”, shkruan Berisha në Facebook.
Ish-Kryeministri Berisha shkruan më tej se, opozita sigurisht nuk kishte asnjë ambicie për pushtet në tavolinë apo për postin e presidentit. Ajo ka shpallur si mision të vetin rikthimin e votës së lirë për shqiptarët dhe jo ndarjen në tavolinë të pushtetit. Por me këtë veprim, që në stilin atëror të Edi Ramës, ngjan me ngritjen në përgjegjësi para eliminimit. “Me zgjedhjen e Metës president, Edi Rama vrapoi të solidifikojë qëndrimin e “Aleancës së Qelbësirave” kundër kërkesës së opozitës për zgjedhje të lira dhe për të mbyllur çdo shteg apo mundësi për të lejuar shqiptarët të votojnë të lirë dhe për të zgjidhur në mënyrë të civilizuar krizën më të rëndë dhe më të rrezikshme që përjeton Shqipëria nga shkurti i vitit 1991. Qytetarët shqiptarë do t’i japin Edi Ramës ndëshkimin e merituar! Revolucioni demokratik do fitojë!”, shkruan Berisha.
Kryetari i PD, Lulzim Basha deklaroi nga Çadra e Lirisë se, zgjedhja e Ilir Metës president i vendit është fundi i pazarit me kukulla. Gjithashtu, Basha ka komentuar deklaratat e Metës ku shprehej se ishte “më afër PD-së”, duke thënë se Meta është afër vetëm pazarit të peshkut.
“Ilir Meta e di, edhe Rama e di këtë fare mirë, ai më kot dhe i dëshpëruar u përpoq të thoshte dje se ai është më afër PD-së. Meta është vetëm afër pazarit të peshkut, që është qelbur nga koka, ndaj Edi Rama gëzofsh ti atë dhe peshkun e qelbur nga koka, ne nuk kemi ardhur në këtë betejë për pazare të fëlliqura politike”, u shpreh Basha.
Zgjedhja e Metës President nuk u prit mirë as nga vetë socialistët, jo vetëm ata të thjeshtët, por edhe deputetët e deri tek ministrat. Edi Rama gjatë javëve të fundit raportohet se e pati karikuar shumë ministren e Mbrojtjes si një kandidate potenciale për Presidente e Republikës, dhe fakti që shefi i saj në momentin e fundit vendosi të votojë Metën si të tillë, nuk mund të mos e linte atë të dëshpëruar. Ndërsa dëshpërimi i Olta Xhaçkës lidhej me faktin se dje ishte edhe dita e fundit kur bashkëshorti i saj Artan Gaçi shkelte për herë të fundit në Parlament, pasi dha dorëheqjen me stil përpara se Ligji për Dekriminalizimin të zbulonte njëherë e mirë se kush është realisht Tani i Frienzes.
Ndërkohë, edhe vetë militantët e LSI mbetën të shokuar nga zgjedhja e Metës President, pasi ata i tremben dobësimit të kësaj partie. Në selinë e LSI kishte rënë një heshtje mortore ditën që Meta u zgjodh President. Militantët e zbrasën inatin me Ramën, i cili sipas tyre po kërkon të shkrijë LSI-në.

R.POLISI

Artikulli paraprakSkema e blerjes së votave, e rrit borxhin publik me 26 miliardë lekë në tre muaj
Artikulli tjetërZyrtarë të policisë në vrasjen e ish-shefit të Krimit Ekonomik