Aleanca jonë e vetme është me qytetarët

Nga dr. Eljan Kasa

O Ramë, nëse populli voton kënetën, është ‘cyryk’ dhe ‘autik’ sipas teje. Po nëse të voton ty, çfarë është?
Ku ndryshon ti nga “bufi” dhe “Rilindja”nga “Këneta? E ke pyetur ndonjëherë veten? Ju dhe ata që ju rrethojnë jeni prodhim i së njejtës fole, thjesht vetëm lloji i baltës ju ndryshon ngjyrën.
Në një kohë kur Shqipëria përballet me sfida të mëdha, është e rëndësishme të reflektojmë mbi drejtimin që ka marrë vendi dhe mbi rolin e udhëheqësve tanë. Bullizimet dhe fyerejet ndaj popullit, duke e quajtur atë “cyryk” apo “autik” nëse voton për kundërshtarët politikë, janë jo vetëm fyese, por edhe tregues i një arrogance që nuk i shërben demokracisë.
Në vend që këta pseudopolitikanë të dëgjojnë zërin e qytetarëve dhe të adresojnë dhe zgjidhin problemet dhe shqetësimet e tyre, shpeshherë përballemi me një retorikë nga ana e tyre që synon të diskreditojë çdo mendim ndryshe. Kjo qasje nuk ndërton një shoqëri të shëndetshme, por thellon ndarjet dhe mosbesimin.
Në vend që të kërkojmë fajtorë te qytetarët, ndoshta është koha të shikojmë brenda vetes dhe të pyesim: A po bëjmë mjaftueshëm për të përmirësuar jetën e njerëzve? A po ofrojmë zgjidhje reale për problemet e tyre? A po ndërtojmë një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë?
Ndryshe nga dy frontet që vetëm sa shtiren si kundërshtarë, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike por që në të vërtete janë aleatë strategjikë, Koalicioni Euroatlantik nuk e ka armikun përballë, por problemin brenda: në sistemin që i ka lodhur shqiptarët për dekada me radhë. Ndaj ne nuk garojmë për të zëvendësuar njëri-tjetrin në karrige, por për të zëvendësuar vetë mënyrën se si është bërë politika.
Në një anë janë fyerjet, batutat e konsumit ditor dhe premtimet boshe që për 35 vite kanë ricikluar të njëjtat figura, ndërsa në anën tjetër jemi ne me një projekt të qartë për një politikë që nuk ka frikë nga qytetari, por punon me të dhe për të.
Koalicioni Euroatlantik është krijuar dhe funksionon si një aleancë me dhe për qytetarin, jo me interesat e politikës së vjetër. Ne nuk premtojmë rrugë që nuk do ndërtohen, ndriçim që s’do ndriçojë kurrë, apo pasaporta europiane që nuk i mban dot as xhepi i një kryeministri, por garantojmë ndërtimin e një shoqërie të drejtë, funksionale dhe me dinjitet.
Sepse nuk mjafton të ndryshosh pushtetin, duhet të ndryshosh mënyrën si ai fitohet, si ushtrohet dhe llogaridhënien përballë qytetarëve.
Vetëm përmes një reflektimi të sinqertë dhe një angazhimi të vërtetë për ndryshim mund të ecim përpara si një komb i bashkuar dhe i fortë.

Exit mobile version